PDK thotë se pati kuorum në Kuvend: U larguan nga frika e përballjes
M. P. / RTKlive
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar nëpërmjet një komunikate duke thënë se sot ka pasur kuorum për mbajtjen e seancës së Kuvendit të Kosovës. Sipas tyre, deputetët e LVV-së janë frikësuar nga përballja me opozitën, prandaj ka dështuar seanca.
“Sot, deputetët e koalicionit "Zdravo", që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, të frikësuar nga përballja me opozitën dhe qytetarët pas shpërthimit të aferës së dytë brenda pak ditësh, atë të vjedhjes së buxhetit të rezervave shtetërore të grurit dhe të vajit, i ka obliguar disa nga deputetët e pushtetit të largohen nga salla, duke e pamundësuar kuorumin e nevojshëm për mbajtjen e kësaj seance, me çka është mbyllur edhe sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, në listën e pjesëmarrjes në seancë janë nënshkruar 79 deputetë.
“Fatkeqësisht, pushtetarët që po koordinohen me Milan Radojçiqin e Listën Serbe, po dëshmojnë se përveç hajna të grurit e të vajit, janë edhe hajna të mëditjeve parlamentare”, ka deklaruar PDK.























