Nësër fillon edicioni i nëntë i festivalit “Agrofesta”
BKT
Kosovë

Nësër fillon edicioni i nëntë i festivalit “Agrofesta”

Pajtim Çuni /Radio Kosova

Në Krushë të Madhe të Rahovecit, nesër nis festivali tradicional i perimekulturës “Agrofesta”. Drejtori i bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku, thotë se festivali synon të promovojë produktet bujqësore të kësaj komune. Në kuadër  të edicionit të sivjetmë organizohen edhe gara të ndryshme tradicionale.

 

Banorët e Krushës së Madhe të Rahovecit këtë të shtunë dhe të diel kanë festë. Në fshatin që shquhen për punimin e tokës dhe kultivimin me zell të kulturave të ndryshme bujqësore, mbahet festivalit “Agrofesta”. Edicioni i nëntë i festivalit tashmë tradicional, organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Rahovecit.

Drejtori i bujqësisë në këtë komunë, Berat Duraku, tregon për Radio Kosovën se qëllimi i festivalit është promovimi i produkteve dhe punës bujqësore.

 “Qëllimi kryesor i festivalit është promovimi i produkteve bujqësore të Komunës së Rahovecit, të cilat janë të bollshme. Në panairin “Agro Tregu”, që është njëri nga aktivitetet kryesore të kësaj feste do të bëhet ekspozimi dhe shitja e produkteve bujqësore. Fermerët, jo vetëm të Krushës së Madhe por edhe fshatrave përreth, do të ekspozojnë produktet e tyre bujqësore, përpunuesit, ajvarin dhe turshitë, por do të ketë edhe produkte të bulmetit”, tha ai.

Duraku tutje shton se më 5 dhe 6 gusht, në kuadër të “Agrofestës”, vizitorët do të kenë mundësinë të shijojnë aktivitete të ndryshme.

 “Pas hapjes së festivalit, ditën e parë është “Sofra krushjane”  që do të shtrohet për nder të mysafirëve dhe përcillet me muzikë të vjetër qytetare. Pastaj është zierja e ajvarit në ambiente të hapura e në mënyrë tradicionale. Ka edhe disa aktivitete të tjera. Ditën e dytë, mes aktiviteteve është gara kush ha më shumë speca djegës si dhe gara e kapjes së peshkut me dorë. Për këtë edicion do të perfermojnë; Sabri Fejzullahu, Vesa Luma, Diona Fona e disa DJ”, tha Duraku.

Festivali i perime-kulturës “Agrofesta” organizohet nga viti 2014. Një edicion i festivalit unik nuk u zhvillua si pasojë e pandemisë Covid-19.


MË SHUME NGA Kosovë