OSBE do të vazhdojë mbështetjen në çështjet e qeverisjes lokale
E. Hoti / RTKlive
Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka vizituar sot Ferizajn ku është takuar me kryetarin e këtij qyteti, Agim Aliu, njëherit kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Davenport ka premtuar se OSBE në Kosovë do të vazhdojë të mbështesë këtë komunë në çështjet e qeverisjes lokale.
Sipas njoftimit të OSBE-së, Davenport ka thënë se e mirëpret përkushtimin e Komunës së Ferizajt për të adresuar shqetësimet e të gjitha komuniteteve.
“E mirëpres përkushtimin e qartë të komunës për të adresuar shqetësimet e të gjitha komuniteteve. Mundësi e mirë për të dëgjuar kryetarin Aliu si kryetar i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës”, citohet të ketë thënë ambasadori Davenport.
Ambasadori Davenport ka thënë se misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë të mbështesë Komunën e Ferizajt në çështjet e qeverisjes lokale.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë të mbështesë komunën në çështjet e qeverisjes lokale dhe është i lumtur të ndërtojë në bashkëpunimin tashmë të shkëlqyer në fushën e sigurisë, të drejtave të njeriut dhe komuniteteve jo-shumicë, dhe dialogut ndërfetar”, ka thënë ai.
Ambasadori Davenport takoi edhe Mimoza Pajazitin, kryetare e Grupit të Grave Joformale Komunale dhe anëtarë të tjerë për të dëgjuar për punën dhe prioritetet e tyre. Vizita përfundoi me një turne në festivalin mural për të parë nga afër kontributin e artistëve për qytetin.
Për takimin me Davenport është deklaruar edhe kryetari i Ferizajit, Agim Alia.
Në një postim në ‘Facebook’, ai ka thënë se me ambasadorin Davenport kanë diskutuar një varg çështjesh të ndërveprimit në nivel lokal, në kuadër të programeve të OSBE-së me Komunën e Ferizajt.
“Mirëprita sot në vizitë, ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, me bashkëpunëtorë, ku diskutuam një varg çështjesh të ndërveprimit tonë në nivel lokal, në kuadër të programeve të OSBE-së me Komunën e Ferizajt e po ashtu diskutuam edhe rolin e raportet e punës që ka Asociacioni i Komunave të Kosovës në agjendën për të përfaqësuar interesat e pushtetit lokal karshi qeverisë qendrore”, ka shkruar Aliu.























