Kurti kujton Fazli Greiçevcin dhe Cenë Dugollin
BKT
Kosovë

Kurti kujton Fazli Greiçevcin dhe Cenë Dugollin

E. Hoti / RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se 17 gushti është data kur kujtohen dy martirë të lirisë së Kosovës, Fazli Greiçevci dhe Cenë Dugolli.

Kryeministri Kurti në një postim në Facebook ka thënë se distanca kohore prej 34 vitesh nga vrasja e Fazliut më 1964 te vrasja e Cenës më 1998, tregon se sa e gjatë ka qenë rruga e shqiptarëve për t’u çliruar nga regjimi shtypës dhe kriminal i Serbisë.

“Mësues në fshatrat Vasilevë, Dobroshec e Kishnarekë, intelektual poet në “Rilindje” dhe aktivist politik në Organizatën Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, Fazli Greiçevci u arrestua nga policia sekrete jugosllave UDB dhe pasi u torturua rreth dy javë në burgun e Prishtinës, vdiq nga torturimi. Fazliu u varros në arkivol të mbyllur më 17 gusht 1964”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shkruar tutje se në atë kohë 31 vjeçar, teksa po përgatiste një aksion, Cenë Dugolli u dekonspirua nga një informator i DB-së, policisë sekrete serbe që e arrestoi dhe njësoj sikur Fazliun, e torturoi deri në vdekje, më 17 gusht 1998.

“Lavdi Fazli Greiçevcit dhe Cenë Dugollit, martirëve në rrugën e gjatë të Kosovës për liri! “, ka shkruar Kurti.


MË SHUME NGA Kosovë