Mbyllja e rrugëve, RTK dhe `KOHA` vlerësojnë se pengohet puna e mediumeve
Valjete Shala/RTK
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mori vendim për ndalimin e qarkullimit për të gjitha mjetet motorike për disa rrugë në kryeqytet. Një nga to është edhe rrugica që qon tek Biblioteka Kombëtare. Por këtë vendim po e kundërshtojnë mediumet të cilat veprojnë në këtë zonë, ndër to edhe Radio Kosova, duke theksuar se përmes këtij vendimi do të bllokohet qasja e vetme e tyre.
Pas mbylljes së rrugës “Xhorxh Bush”, të hënën kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, mori vendim (grafikë-vendimi) për ndalimin e qarkullimit për të gjitha mjetet motorike edhe në rrugën dhe rrugicat që dërgojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare. Por, në këtë zonë veprojnë edhe tri nga mediumet në vend.
Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, thotë së ky vendim është i papranueshëm dhe bllokon punën në realizimin e misionit për ta informuar opinionin.
“Vendimi ka qene i befasishem per bllokim te artieries kryesore te qarkullimit rrugor qe kemi ne si institucion. Ne jemi medium i kategorise ligjore i themeluar nga Kuvendi dhe per ta permbushur kete mision nuk mundet nese ka barriera dhe pengesa te tilla. Ne jemi gazetare dhe kemi ngjarje shpesh te pa planifikuara uara andaj ne situata te tilla, ne duhet te shkojme ne vend ngjarje ne kohe reale dhe vendimi pamundeson funksionimin si transmetues publik”, tha ai.
Po ashtu, sipas drejtoreshës menaxhuese të Grupit KOHA, Flaka Surroi, ky vendim është pengim i posedimit dhe i punës së mediumit.
“Kryetari i Prishtinës ka marrë vendim të mbyllë qasjen e vetme që dy mediume kombëtare kanë për t’iu qasur hapësirës ku veprojnë, pra ndërtesës së ish-Radio Prishtinës. Pra, kryetari Rama ka vendosur ta mbyllë qasjen nga kampusi universitar, pavarësisht faktit se ajo, megjithatë, nuk është pronë komunale - dhe nuk ka ofruar alternative”.
Kurse kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se ky vendim është marrë me qëllim të realizimit të planit rigjenerues të këtyre hapësirave publike, në konsultim me Universitetin e Prishtinës dhe Bibliotekën Kombëtare, pasi këto pjesë po përdoren si parkingje dhe bllokojnë shfrytëzimin e këtyre hapësirave nga të gjithë qytetarët.
Si institucion thotë se e ka prioritet interesin e përgjithshëm publik dhe nuk mund ta vendosë interesin e asnjë biznesi mbi interesin e përgjithshëm të qytetarëve.























