Ndalimi i qarkullimit në tri rrugë, cenon dy media dhe banorët
Arlinda Sejda / RTK
Ditë më parë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vendosi për ndalimin e qarkullimit për të gjitha mjetet motorike për tri rrugë në kryeqytet. Por me këtë vendim nuk pajtohen banorët e këtyre rrugëve dhe as dy mediume të cilave u pamundësohet qasja me automjete afër redaksive të tyre.
Bllokimi për automjete i rrugës që kalon afër Bibliotekës Kombëtare pamundëson qarkullimin me automjete të ekipeve të Radio Kosovës dhe televizionit KTV.
Ndaj këtij vendimi, Radio Kosova ka dërguar ankesë në komunë. Aty saktësohet se ndalimi i qarkullimit të automjeteve cenon funksionimin e institucionit si transmetues publik, pasi ky segment rrugor i paraparë për mbyllje, është qasja e vetme me automjete që ka ky medium.
Ndërkohë, në ankesë shkruan se përmbushja e misionit ligjor nuk mund të arrihet përderisa personeli i RTK-së përballet me bllokada të tilla për të mbërritur e raportuar në kohë nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, Grupi Koha ka publikuar padinë e dorëzuar në Gjykatën Komerciale ndaj vendimit të kryetarit Përparim Rama, për bllokimin e kësaj rruge.
Drejtoresha e kësaj kompanie, Flaka Surroi, vendimin e kryetarit Rama e quan sulm ndaj fjalës së lirë, duke pretenduar se është duke e cenuar pronën e huaj dhe duke e shpërfillur një institucion që ka për mision ofrimin e një shërbimi publik, prej të cilit nuk mund të ketë përfitim.
Vendimin e kryetarit Rama për të bllokuar një rrugë tjetër, atë “Rexhep Luci”, në kryeqytet, sot me peticion e kundërshtojnë edhe banorët e saj.
Në një peticion dërguar medieve, me një e-mail ku shihen emrat dhe nënshkrimet e banorëve, përfshirë edhe numrat personalë, shkruan se ndalimi i automjeteve për qarkullim ua cenon atyre lirinë e lëvizjes.
Banorët deklarojnë se janë kundër këtij vendimi dhe do ta kundërshtojnë në çdo formë.
Në lidhje me vendimin për bllokim të rrugëve, ditë më parë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se e ka marrë atë në të mirë dhe interes të qytetarëve.























