MASHT reagon pas lajmit për mosfurnizim me libra të nxënësve në Mitrovicë
BKT
Kosovë

MASHT reagon pas lajmit për mosfurnizim me libra të nxënësve në Mitrovicë

B.H. / RTKlive

Ministria e Arsimit ka reaguar pas deklaratës së drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, e cila kishte thënë se në këtë komunë 38% të nxënësve nga klasët 1-5, ende nuk janë pajisur me tekste shkollore.

MASHT ka thënë se nuk janë njoftuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit në këtë qytet se kanë probleme me furnizim të teksteve shkollore.

“Ashtu si në të gjitha Komunat e Kosovës edhe në Mitrovicë, procesi i furnizimit me tekste shkollore për klasat 1-5 është duke u përmbyllur me sukses. Nuk kemi pranuar asnjë raport nga Drejtoritë Komunale për probleme me furnizim me tekste shkollore”, ka shkruar MASHT në Facebook.

Tutje ata kanë njoftuar se kanë angazhuar Inspektoratin e Arsimit për t’i përcjellë nga afër pretendimet e deklaruara, teksa kanë thënë se do të publikojnë edhe një raport të detajuar pas procesit.

“Ashtu siç tashmë jeni njoftuar, klasat 6-9 do të shfytëzojnë tekstet e vitit të kaluar ndërsa, do të subvencionohen për herë të parë për materiale shkollore. Më datë 26 maj 2023 kemi përcjellë tek të gjitha DKA-të, përfshirë DKA-në në Mitrovicë, njoftimin në lidhje me vendimin e mësipërm, dhe kemi kërkuar prej tyre që të ruajnë tekstet e vitit të kaluar, dhe të njëjtat t’i përcjellin tek nxënësit e vitit aktual. Më datë 25 gusht 2023 e kemi ridërguar këtë njoftim dhe nuk kemi marrë informatë për mungesë të teksteve për klasat 6-9, për tekste të dëmtuara që nuk mund të përdoren më, apo ndonjë kërkesë për tekste shtesë”, thuhet në reagim.

Ndërkaq drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu kishte shkruar ditë më parë në Facebook se nuk duhen dënuar nxënësit në mungesë librash.

“Të dhënat e mbledhura nga shkollat, (përjashtuar 6 shkolla), tregojnë se 38% të nxënësve nga klasët 1-5, ende nuk janë pajisur me tekste shkollore”, kishte shkruar ajo.


MË SHUME NGA Kosovë