Konjufca: Xhevë e Fehmi Lladrovci frymëzim për luftën heroike të UÇK-së
BKT
Kosovë

Konjufca: Xhevë e Fehmi Lladrovci frymëzim për luftën heroike të UÇK-së

N.M. /RTKlive

(E plotësuar) Në 25-vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi – Lladrovci, përfaqësues politikë, personalitete të ndryshme dhe qytetarë, kanë bërë homazhe te varrezat e tyre në fshatin Gllanasellë, si dhe te shtatoret e tyre në qendër të Drenasit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe me rastin e 25-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci.

Kryeparlamentari, në një postim në Facebook, ka thënë se çifti simbol i rezistencës dhe luftës për liri ranë së bashku me shumë luftëtarë të tjerë më 22 shtator të vitit 1998 në qëndresën legjendare, në Qyqavicë.

“Ata u bënë frymëzim për luftën qëndrestare e heroike të UÇK-së. Brigada 114 e UÇK-së, që drejtohej nga Fehmi Lladrovci, mori një emblemë shtesë, emblemën e komandantit të saj. Aktiviteti i Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit para e gjatë luftës për liri, ashtu si dhe rënia e tyre në front, shënon idealet më të larta të popullit shqiptar në Kosovë”, shkruan ai.

Ai ka thënë se rrëfimi për jetën dhe vdekjen e tyre  është një epos lirie.

“Mirënjohje përjetë, lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi Xhevë e Fehmi Lladrovcit!”, ka shkruar Konjufca.

Haradinaj: Fehmi e Xhevë Lladrovci - ishin simbol i qëndresës

Kryetari i Aleancës për ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se heronjtë e Kombit, Fehmi e Xhevë Lladrovci ishin simbol i qëndresës, krah i fortë i lëvizjes për liri e pavarësi.

“Gjithmonë të parët në rresht, ata luftuan dhe ranë bashkë. Fehmiu dhe Xheva, të cilët kisha fatin edhe t’i njoh nga afër, janë themelet e Kosovës së lirë, Kosovës shtet. I kujtojmë me respektin më të thellë, po ashtu, bashkëluftëtarët e tyre, Shefqet Zeka e Fatime Hetemi, si dhe të gjithë dëshmorët e Brigadës 114, që me krenari mbajti emrin e Fehmi Lladrovcit. Në këtë përvjetor, përulemi me nderim para veprës së tyre heroike. Ata do të jenë gjithmonë udhërrëfyesit tonë në rrugën për ndërtimin e shtetit”,  ka shkruar Haradinaj në Facebook. 

 


MË SHUME NGA Kosovë