Bie vetura nga shembja e dheut|Video
Valjete Shala /RTK
Në orët e mesditës është raportuar për shembje dheu në një vendpunishte në rrugën “Gazmend Zajmi”, në kryeqytet, ku, për pasojë, një veturë ka rënë brenda punishtes, disa metra poshtë.
Sipas policisë, nuk është raportuar për persona të lënduar, ndërsa autoritetet kompetente kanë nisur hetimet se si ndodhi kjo ngjarje.
Shembja e dheut në lagjen “Kodra e Diellit”, bëri që kjo veturë të përfundojë disa metra thellë punishtes.
Fatmirësisht sipas Policisë, nuk është raportuar për të lënduar pos dëmeve materiale përfshirë këtu edhe veturën, raporton RTK.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, tha se bashkë më policinë po i zhvillojnë hetimet për ndriçimin e rrethanave të këtij rasti.
“Jemi duke u marrë me rastin, të shohim se ku ka qenë lëshimi. Nëse vërtetohet që ka pas lëshim siç shihet qe ka, atëherë masat do të jenë konform ligjit", tha ai.
Edhe pse banorët u panë të shqetësuar, Fushtica shtoi se nga kjo situatë nuk paraqitet rrezik për ta,kurse në afërsi të kësaj zone vazhdonin punime të tjera ndërtimore.























