Infektohen nga Bruceloza|Video
Edina Avdiu /RTK
Një fermeri nga Komuna e Skenderajt i është infektuar djali me brucelozë, por që sëmundja po përhapet edhe te familjarët, pasi kanë pasur kontakt me lopët e fermës, shumica prej tyre të infektuara me këtë sëmundje.
Adnan Rrexhepi i ka lëshuar lopët për të kullotur në fshatin Mikushnicë të Skenderajt, mirëpo që një muaj, ai dhe familja e tij nuk po guxojnë ta konsumojnë e as ta shesin qumështin e tyre. Kjo pasi 23 prej 33 prej lopëve që ka në fermë, janë infektuar me brucelozë.
Fermeri tregon se me këtë sëmundje i është infektuar edhe djali dhe shprehet i shqetësuar, pasi thotë se infeksioni po përhapet edhe tek anëtarët e tjerë të familjes që kanë pasur kontakt me lopët.
"Djali u dalë pozitiv me këtë sëmundje që e kanë lopët, unë për vete kam pasur kokëdhimbje, djersitje dhe lodhje në muskuj...d.m.th. ato simptoma që i ka pasur djali, i kam unë edhe i ka djali tjetër.... Na kemi hy, kemi ndenjur shlirë në fermë, se nuk e kemi ditë", tha Adnan Rexhepi, fermer.
Nga Komuna e Skenderajt, ka një muaj nuk po arrijnë të gjejnë një lokacion të përshtatshëm për asgjësimin e këtyre kafshëve.
Sipas tyre, nëse procedurat shkojnë me rregull, asgjësimi do të bëhet të martën.
"Dy lokacionet që i kemi gjetur deri më tani ka pasur rezistencë prej banorëve, sepse kanë qenë të shqetësuar se mos ndoten puset e ujit të pijes, sot kemi dalë në këtë lokacion dhe po presim një konfirmim prej ‘Drejtorisë për Gjeodezi’, po mendojmë që gjatë ditës së nesërme në prezencë e ‘AUV-it’ të bëhet groposja e këtyre bagëtive. Fillimisht do të hapet gropa, pastaj secila një nga një do të groposen në këtë lokacion", tha përfaqësues nga komuna.
Ndërkaq nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës tregojnë se disa herë janë kthyer prapa, pasi janë penguar nga banorët që ta kryejnë asgjësimin.
Megjithatë, nga AUV-i shprehen të gatshëm për ta bërë asgjësimin e kafshëve, sapo Komuna ta caktojë lokacionin.
" Familja Rexhepi shpreson që procedurat të përfundojnë sa më shpejt, pasi shëndeti po u rrezikohet çdo ditë e më shumë”, tha Lamir Thaçi, zëdhënës në AUV.























