"Termokosi" fillon sezonin e ngrohjes
Ardiana Hajzeri / RTK-Radio
Pas uljes së temperaturave, kompania “Termokos” ka filluar furnizimin me ngrohje për konsumatorët e Komunës së Prishtinës që nga dita e djeshme.
Zëdhënësja e kompanisë publike “Termokosi”, Aferdita Uka, tha për Radio Kosovën, se bazuar në lëvizjen e temperaturave të cilat kanë pësuar rënie, “Termokos”, ka filluar furnizimin me ngrohje.
”Furnizimi me ngrohje, ashtu siç e kemi paralajmëruar dhe e kemi siç e kemi obligim, ka filluar që nga dita e djeshme më orarin zyrtar 15 tetor. Pasi dje gjatë ditës temperaturat kanë qenë relativisht të mira, kemi startuar me ngrohje me temperatura minimale. Ato janë rritur gjatë orëve të para të mbrëmjes dhe tanimë ngrohja ka arritur te pjesa më madhe e konsumatorëve”, ka thënë Uka.
Rënie të temperaturave ka paralajmëruar edhe instituti Meteorologjik i Kosovës. Besim Aliu, nga ky institut, në një përgjigje për Radiotelevizionin e Kosovës ka bërë të ditur së dita e martë do të jetë dita me ftohtë, ku temperaturat pritet të zbresin në 0 gradë celsius.
“Gjatë javës do të kemi një mot tipik vjeshtor, pasi që vetëm jemi në javën e tretë të muajit tetor. Temperaturat do të luhaten nga 0 deri në 8 apo në 9 gradë minimalet, kurse maksimalet nga 10 deri në 24 apo 25 granë celsius. Pra, dita e martë, dita e nesërme, do të jetë më e freskëta, kurse më e nxehta do të jetë dita e premte”, ka thënë Aliu.
Kompania “Termokos”, ka bërë të ditur se nuk ka indikacione për rritje të çmimit të faturave. Nga ky sezon ngrohës për të gjithë konsumatorët, që i kanë të instaluara pajisjet e reja për matjen e shpenzimit të ngrohjes do të fillojë faturimi sipas shpenzimit.























