Kurti ka takuar ambasadorin e ri jorezident të Irlandës, Ragnar Almqvist
F.S / RTKlive
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri jorezident të Irlandës për Kosovë, Ragnar Almqvist, të cilit i ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e palëkundur të Irlandës ndaj vendit tonë, duke e falënderuar atë në veçanti për mbështetjen ndaj aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Përmes një njoftimi për media nga Qeveria e Kosovës, thuhet se në këtë takim u theksua se gjatë dy viteve të fundit, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në implementimin e reformave kyçe, promovimin e demokracisë dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Kryeministri Kurti po ashtu foli dhe mbi situatën aktuale dhe sulmin terrorist nga ana e Serbisë me datën 24 shtator.
Tutje thuhet në njoftim se u bisedua për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit, rritjen e mundësive të shkëmbimit tregtar, investimeve ekonomike dhe projekteve kulturore midis dy vendeve tona.
Kryeministri Kurti theksoi se mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me Irlandën për të thelluar më tej lidhjet në mes të dy vendeve.























