OSBE dhe Komuna e Gjakovës promovojnë mbrojtjen e mjedisit
F.S / RTKlive
Nxënës të shkollës fillore "Dy Dëshmorët" nga fshati Sheremet vizituan punëtorinë për riciklimin e qelqit “Kosovo Glass Recycling” në Gjakovë.
Kjo vizitë, sipas një njoftimi për media nga komuna e Gjakovës, kishte për qëllim edukimin e brezave të rinj mbi rëndësinë e reduktimit të mbetjeve, ruajtjen e natyrës dhe zbutjen e ndikimit negativ në mjedis.
“Gjatë kësaj vizite, nxënësit mësuan për llojet e materialeve që mund të riciklohen, për ndarjen e shisheve të qelqit dhe plastikës, si dhe përfitimet me produktet e ricikluara. Aktiviteti është përshtatur për moshën e pjesëmarrësve me prezantime praktike për nxënësit duke ofruar demonstrime për mënyrat e ndarjes së mbetjeve nga qelqi dhe plastika, përpunimit dhe produkteve përfundimtare”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se të pranishëm në këtë aktivitet ishin zyrtarë të sektorit për menaxhimin e mbeturinave nga drejtoria komunale për shërbime publike, të cilët ofruan informata mbi politikat dhe aktivitetet komunale për mbrojtjen e mjedisit.























