Edhe 70 mijë euro për projektet e të rinjve në Komunën e Kaçanikut
BKT
Kosovë

Edhe 70 mijë euro për projektet e të rinjve në Komunën e Kaçanikut

V.Th. RTKlive

Shtatë organizata dhe një grup joformal nga komuna e Kaçanikut janë përfitues të nëngranteve në kuadër të programit “Komunat për të rinj”, ku janë nënshkruar edhe kontratat për fillimin e realizimit të këtyre projekteve.

Komuna e Kaçanikut njofton se përfaqësuesit e këtyre organizatave i uroi dhe i përgëzoi edhe kryetari i komunës, Besim Ilazi, i cili tha se mbështetja komunale nuk do të mungojë asnjëherë për të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara.

Në njoftim thuhet se sipas projektit “Komunat për të rinj”, në fazën e dytë kanë përfituar të rinjtë me projektet e tyre që përfshijnë shumën 70 mijë euro, ndërsa në fazën e parë të këtij programi kanë përfituar të rinjtë nga komuna jonë me vlerën e projekteve 78 mijë euro. Nga shuma e përgjithshme, 15% e mjeteve janë nga Komuna e Kaçanikut, kurse pjesa tjetër nga programi “Komunat për të rinj”.

Tutje thuhet se Projekti M4Y është një grant prej 2.7 milionë dollarësh i siguruar nga Qeveria Japoneze përmes Fondit Zhvillimor Social të Japonisë (JSDF), dhe i cili administrohet nga Banka Botërore, ndërsa implementohet nga MAPL dhe Organizata CDF si partnere në implementim.

Projekti ka për qëllim rritjen e mundësive socio-ekonomike për të rinjtë e margjinalizuar (15-24 vjet) në Kosovë.

Përmes këtij projekti komunat e zgjedhura do të adresojnë nevojat socio-ekonomike të të rinjve, duke financuar iniciativat të cilat burojnë nga vet ata, me qëllim rritjen e bashkëpunimit midis rinisë dhe qeverive lokale, për zgjedhjen e problemeve në komunitet.


MË SHUME NGA Kosovë