Fabrika e ujit në Hanin e Elezit pritet ta përmirësojë furnizimin
BKT
Kosovë

Fabrika e ujit në Hanin e Elezit pritet ta përmirësojë furnizimin

Driton Ramadani / RTK

Banorët e Hanit të Elezit kanë vite që nuk kanë furnizim të rregullt me ujë të pijshëm. Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ujit dhe në rritje të kapaciteteve të furnizimit u përurua rehabilitimi i fabrikës në fshatin Dimcë.

“Më herët nuk kemi qenë të kënaqur sepse uji ka ardhur shumë i turbullt dhe shumë i keq, tash ka filluar të funksionojë. Tash uji është më i mirë po presim që do të bëhet edhe më mirë sepse janë duke u vendosur edhe orët”, ka deklaruar për RTK-në banori Nesim Curri. 

“Nga ky projekt që ka kushtuar gati gjysmë milion euro por që është pjesë e shumës më të gjerë prej 10 milionë eurosh bashkë investim dhe donacion i Qeverisë Zvicerane dhe asaj të Kosovës për ujësjellësin në mbarë Republikën do të përfitojnë vetëm nga ky investim sot rreth 5 mijë banorë të Hanit të Elezit”, tha zëvendësministri i Ministrisë për Ekonomi, Getoar Mjeku.

Ndërkaq, kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka thënë se me këtë fabrikë synohet furnizimi me ujë të pijes i qytetarëve.

“Ne po shpresojmë shumë që kjo fabrikë nuk do të jetë sikur në vitin 2010, që vetëm të bëjmë një promovim por do të jemi shumë të fokusuar në angazhimet tona për të arritur deri tek qëllimi kryesor për t’i ofruar qytetarëve ujë të pijes”, ka thënë Ballazhi.

E Jeton Shabani, kryeshef i KRU “Bifurkacioni”, ka deklaruar se konsumatorëve kjo fabrikë do t’iu garantojë cilësi të ujit dhe kualitet të vazhdueshëm dhe se të gjithë banorët e kësaj zone do ta konsumojnë pa fije dyshimi.

Fabrika e ujit në Dimcë të Hanit të Elezit ka kapacitet të prodhim deri në 20 litra në sekondë.


MË SHUME NGA Kosovë