GAP: 28 % të qytetarëve planifikojnë të largohen në pjesën e parë të vitit
Qendresa Duraku/RTK/
“28 % e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç planifikojnë të emigrojnë në pjesën e parë të vitit 2024”.
Kështu thuhet në të gjeturat e raportit “Prirja për të emigruar nga Kosova pas liberalizimit të vizave: ndikimi në fuqinë punëtore”, i realizuar nga Instituti GAP. Arsyet kryesore qëndrojnë tek ato ekonomike.
“Në periudhën afatshkurt kjo krijon mungesë të punonjësve në treg dhe varësisht nga sektorët afektohen më shumë që në rastin e Kosovës, kjo ndikon që të rriten pagat në atë sektor në periudhën afat shkurt pastaj në periudhën afatgjatë kjo del pak më problematike pasi që nga vendi emigrojnë shumë kuadro të shkolluara, emigrojnë kuadro që janë produktive që janë ndërmarrës krijon inovacion në ekonomi, kjo pritet ta ulë produktivitetin në tërë vendin gjithashtu ta ulë edhe konsumin", ka thënë Blendi Hasaj, hulumtues në institutin GAP.
Sektorët që do të preken më shumë nga emigrimi i popullsisë janë sektori i ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë, i tregtisë dhe i prodhimtarisë.
“Aktualisht zëvendësimi i fuqisë punëtore së munguar nga imigrantë të huaj është i pamjaftueshëm. Në vitin 2022, 2,979 shtetas të huaj të cilët kanë emigruar në Kosovë për arsye punësimi kanë zëvendësuar më pak se 14% të fuqisë punëtore aktive që nuk ishin më pjesë e tregut të punës”, ka thënë Anisa Zogaj, hulumtuese në GAP.
Destinacionet kryesore të qytetarëve të cilët planifikojnë të emigrojnë janë Gjermania, e ndjekur nga Zvicra e Austria. Sipas këtij raporti, që nga viti 2012 e deri në vitin 2022 nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë.























