Shpërthimi në Mitrovicë, katër pacientë në mjekim intensiv
M.P. / RTKlive
(E përditësuar) Katër pacientë të përfshirë në shpërthimin në një shtëpi në Mitrovicë janë në mjekim intensiv, ndërkaq të tjerët janë transferuar në klinika të ndryshme në QKUK.
Kështu bëhet me dije në njoftimin e fundit të ShSKUK-së.
“Katër pacientë janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror, meqë kanë gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia. Tetë pacientë janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku po e vazhdojnë trajtimin dhe mbikqyrjen nga stafi shëndetësorë. Dy në Kirurgjinë Abdominale dhe një do të transferohet në Kirurgji Torkale”, thuhet në njoftim.
ShSKUK: 4 pacientë duke u operuar, 13 me djegie në gjymtyrë
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se 4 nga 13 pacientët e lënduar gjatë shpërthimit në një shtëpi në Kçiq, janë duke u operuar.
“Katër nga ta janë duke u operuar në sallën e operacionit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, bëhet me dije se pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë.
“Pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit”, ka njoftuar ShSKUK.
15 të lënduar nga shpërthimi me bombolë në Kçiq, 14 prej tyre dërgohen në QKUK
15 persona janë lënduar si pasojë e një shpërthimi në një shtëpi në komunën e Mitrovicës.
Rasti ka ndodhur në fshatin Kçiq, teksa Nita Mustafa, zyrtare per Informim në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë ka konfirmuar për RTKlive se 14 nga ta janë dërguar në QKUK.
“Në Spitalin e Përgjithshëm kanë ardhur gjithsej 15 pacientë ku kanë marrë trajtim. 14 nga ta janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Kurse një pacient me lëndim me të lehta është liruar në shtëpi” , ka konfirmuar Mustafa.
























