Xani: Ndikimi i Beogradit dhe grupeve kriminele në veri është ende i madh
BKT
Kosovë

Xani: Ndikimi i Beogradit dhe grupeve kriminele në veri është ende i madh

E. Hoti /RTKlive

Pas Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, sot ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë edhe në dy komunat tjera në veri të Kosovës, Zveçan dhe Zubin Potok, të banuara me shumicë serbe.

Analisti Visar Xani, i ftuar në magazinën informative, ”Lajmet e fundit”, në RTK, duke folur për peticionin e nisur në veri për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë dhe përgatitjet për zgjedhjet e reja atje, tha se ky ka qenë një proces politik që nga fillimi.

“Një proces që ka pasur baticat dhe zbaticat e tij në përgjithësi, por që duket se jemi në fund për të hapur rrugë për zgjedhjet e reja në ato komuna”, tha Xani.

Ai tha se serbët me dëshirën e tyre janë larguar prej institucioneve dhe për gabimin e tyre janë duke e pësuar dhe se tashmë, janë duke u munduar që ta përmirësojnë dhe të kthehen në institucione.

“Pra ka qenë një proces politik. Edhe dalja edhe peticioni është mesazh politik, që ka ardhur me leje të Beogradit. Veprimet e tilla nuk e kanë në rend të parë interesin e qytetarëve, por më shumë janë kalkulime politike të Beogradit. Me gjasë tani ata e kanë mësuar një mësim, sepse heqja dorë nga institucionet e Kosovës, ku ata duhet të jenë pjesëmarrës dhe të integrohen, nuk sjellë më shumë se sa dështim për ta”, tha Xani.

Xani theksoi se ndikimi i Beogradit në veri të vendit është shumë i madh dhe nuk ka mundur të reduktohet edhe pse ngjarjet e fundit që kanë ndodhur atje kanë fuqizuar një lloj sovraniteti të Kosovës, për shkak se ka një kontroll më të madh të institucioneve të rendit.

Por kjo, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk ka shpartalluar ndikimet që vijnë nga Beogradi, nga grupet kriminale që i frikësojnë qytetarët atje, e që nuk i lënë të lirë të veprojnë sipas bindjes së tyre.

Ai tha se derisa nuk ka bindje të lirë të qytetarëve në veri të Kosovës, do të ketë probleme edhe në të ardhmen dhe është vështirë të besohet që do të mund të ketë ndonjë ndryshim  të dukshëm, në këtë drejtim derisa Beogradi dhe grupet kriminele, të kenë ndikim mbi ta.

Ndryshe, mbledhja e nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve ka nisur ditë më parë edhe në Mitrovicë të Veriut e në Leposaviq. Për të qenë peticioni i suksesshëm, duhen nënshkrimet e së paku 20 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.

Afati i mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkim të kryetarëve në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut e Zubin-Potok përfundon më 22 janar, ndërsa në Zveçan më 27 janar.


MË SHUME NGA Kosovë