Suspendohet një zyrtar policor në Leposaviq
E. Hoti / RTKlive
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë filluar një hetim pas publikimit të video-incizimeve të reja në medie në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës.
Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor.
“IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”’, thuhet në njoftim.
Në kuadër të hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.
“Zyrtarët e IPK-së në kuadër të autorizimeve ligjore dhe në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet tutje në njoftimin e IPK-së.
Ndryshe kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi dje ka shkarkuar nga detyra nënkryetaren e komunës, Dragana Miletiq.
“Shkarkimi nga detyra e nënkryetares sipas nenit 1 të këtij vendimi, bëhet për shkak të shkeljeve të rënda të punës dhe mosrespektimit të pozitës së saj si nënkryetare dhe mos përmbushjes së detyrave të punës”, thuhet në vendim e nënshkruar nga kryetari Hetemi.
Shkarkimi i saj erdhi pas publikimit në media të pamjeve ku ajo shihet duke konsumuar substanca narkotike.
Dje, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, që të nisë hetimet për substancat narkotike brenda Komunës së Leposaviqit.
Përmes një njoftimi për medie, Prokuroria e Mitrovicës ka theksuar se Policia do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti.























