Shënohet Dita e Ashkalinjve, Maqedonci pret ushtarët nga ky komunitet
E. Hoti / RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci me rastin e shënimit të Ditës së Ashkalinjve, ka takuar sot pjesëtarët e FSK-së nga radhët e këtij komuniteti me të cilët ka diskutuar rreth sfidave por dhe sukseseve që janë shënuar që nga transformimi i FSK-së.
“Kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të gjithë pjesëtarëve të komunitetit ashkali kudo që jetojnë dhe veprojnë, e në veçanti pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ky komunitet të ju uroj Ditën e Ashkalive dhe 21 vjetorin e Ditës së Flamurit tuaj kombëtar”, ka shkruar Maqedonci në Facebook .
Ai më tej ka theksuar se komuniteti ashkali ka dëshmuar konsistencë me kontributin e tyre në ndërtimin e Kosovës dhe ushtrisë.
“FSK aktualisht përbëhet nga 27 pjesëtarë të komunitetit ashkali, komunitet ky i cili tradicionalisht ka shërbyer në Ushtrinë e Kosovës dhe ka përcjell shembullin më të mirë të integrimit. Këtë vit radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës iu bashkuan edhe 4 pjesëtarë të rinj nga komuniteti juaj, dhe vlen të theksohet që nga të gjitha komunitetet ashkalinjtë kishin numrin më të madh të aplikuesve, kjo tregon edhe për atdhedashurinë që ka ky komunitet ndaj Kosovës dhe dëshirën për të shërbyer në uniformën e ushtrisë së Kosovës”, ka shkruar ai.
Maqedonci ka thënë se vazhdojnë të mbesim të përkushtuar që të rrisim numrin e pjesëtarëve të FSK-së nga komunitetet në rekrutimet e ardhshme.























