Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajçinovci
BKT
Kosovë

Shkarkohet kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajçinovci

SH.Ç/RTKlive

(E plotësuar, ora 16:30 ) Me 33 vota për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës shkarkuan kryesuesin, Pëllumb Bajçinovci.

Në votim kanë marrë pjesë 33 asamblistë të Kuvendit Komunal në procesin e shkarkimit të kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Pëllumb Bajçinovci.

(E plotësuar) Prishtinë, Kuvendi Komunal me votim të fshehtë për shkarkimin e Bajçinovcit

Pas një ndërprerjeje prej 10 minutash sërish filloi mbledhja e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku asamblistët kanë nisur votimin në mënyrë të fshehtë për shkakrimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajçinovci.

Rama: Po tentohet të ndalet zhvillimi i Prishtinës për inate puro politike

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka filluar mbledhjen e jashtëzakonshme me një pik të vetme të rendit të ditës, shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit, Pëllumb Bajçinovci.

Këshilltarët Komunal të Lëvizjes Vetëvendosje me mbështetje të këshilltarëve të AAK-së, një këshilltari të AKR-së dhe një këshilltari të pavarur, kanë iniciuar mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për të shkarkuar kryesuesin e Kuvendit.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur se sot i drejtohet qytetarëve, pasi që siç ka thënë ai “mjaftueshëm i jemi drejtuar njëri-tjetrit me fjalët që lëndojnë raportet tona dhe qytetarët”.

“Tani kur transformimi i qytetit po merr formë, ku qindra projekte zhvillimore po zbatohen në teren, po tentohet të ndalet zhvillimi i Prishtinës për inate puro politike. Kjo është politika juaj, politikë e bllokimit të kryeqytetit dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, oportunizmi politik po kërcënon me e marrë kryeqytetin i nisur nga agjendat personale e jo nga nevojat e qytetarëve

“Kjo tentativë për me rrëmbye pushtet, është një shuplakë për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Ne që jemi kujdestarët e këtij qyteti, kemi përgjegjësi më të lartë. Jemi zgjedhur jo për të luajtur lojëra politike, por për ta shndërruar Prishtinën në një qytet me plotë jetë”, është shprehur ai.

Rama u kërkoi nga asamblistët që të mos votojnë “rrëmbimin” e pushtetit duke shkarkuar kryesuesin Pëllumb Bajçinovcin.

Pas këtij fjalimi Rama së bashku me kryesuesin i cili pritet të shkarkohet janë larguar nga salla ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme.


MË SHUME NGA Kosovë