Reagon Lista Serbe ndaj Tomaniqit: Zjarrvënia ishte e qëllimshme
M.Sh/RTKLive
Lista Serbe mohon të shtunën përfshirjen e njerëzve të saj në djegien e lokalit të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duke akuzuar Qeverinë e Kosovës për siç thotë “insinuata të rreme”. Kjo parti politike, njerëzit e së cilës u përfshinë direkt në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, thotë se zjarrvënia e lokalit ishte e qëllimshme.
“Është interesant fakti se Natasha Tomaniq, ashtu si shefi i saj Albin Kurti, e dinë shkakun e zjarrit para çdo hetimi dhe rezultatet e shërbimeve të ekspertëve. Për më tepër, Kurti dhe Tomaniqi insinuojnë se edhe ata e dinë se kush e ka kryer këtë akt”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Sipas kësaj partie, vet deklarimi i nënkryetares Tomaniq, se në atë vend do të ndërtohet një lokal edhe më i madh, sipas LS, jep arsye se ai lokal do të ndërtohet me para të Prishtinës dhe pa leje ndërtimi.
“Në kohën kur ne po luftojmë për ruajtjen e popullit serb dhe kur presioni i komunitetit ndërkombëtar mbi regjimin në Kosovë nuk ka qenë kurrë më i madh, ne kemi bërë thirrje për paqe të panumërta, të vetëdijshëm se ngjarje të tilla nuk janë në favor të popullit tonë...”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Kujtojmë se një ditë më parë persona të panjohur kanë djegur lokalin e nënkryetarja e Zveçanit, Natasha Tomaniq. Kjo e fundit akuzoi Listën Serbe, e cila mbledh numrin më të madh të serbëve në Kosovë, për djegien e lokalit të saj.
Lista Serbe është një subjekt politik që ka mbështetje nga Beogradi, ndërsa deri para disa muajve drejtohej nga njerëz që janë të kërkuar nga drejtësia vendore e ndërkombëtare për elemente kriminale në Kosovë e rajon. Nënkryetari i kësaj partie ishte Milan Radoiçiq, organizator i sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
Ndryshe, kjo nuk ishte hera e parë që pronat e serbëve në veri digjen nga persona të panjohur nga autoritetet e vendit. Deri më tani janë djegur dhjetëra vetura, kryesisht të atyre serbëve, që kanë pranuar t’i regjistrojnë automjetet me targa të Kosovës- RKS. Pra, cak i sulmeve kanë qene serbët që i kanë njohur institucionet e Republikës së Kosovës.























