Ali Ahmeti shpallet `Qytetar nderi` i Prizrenit:Lidhja na ka mbajtur gjallë
BKT
Foto: Myrvete Axhami / RTK
Kosovë

Ali Ahmeti shpallet `Qytetar nderi` i Prizrenit:Lidhja na ka mbajtur gjallë

M.P. / RTKlive

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti është shpallur qytetar nderi i Prizrenit, në një ceremoni të Kuvendit të Komunës.

Në këtë seancë morën pjesë figura të ndryshme publike, teksa u vlerësua kontributi i Ahmetit për çështjen kombëtare ndër dekada.

Të gjithë folësit në këtë seancë solemne deklaruan se ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për 40 vite ka qenë në funksion të çështjes kombëtare, fillimisht në Kosovë dhe pastaj edhe në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, Ali Ahmeti, aktualisht kryetar i BDI-së, u shpreh i nderuar me këtë titull.

Ai me këtë rast tha se Lidhja e Prizrenit e ka mbajtur gjallë shpirtin e shqiptarëve.

“Na e ka mbajtur shpirtin gjallë sepse na ka mësuar se si të mos dorëzohemi dhe të ndërtojmë program deri në çlirim, sepse vet Lidhja e Prizrenit ishte një platformë për çlirimin e tokave shqiptare”, tha ndër të tjera Ahmeti.

E kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se prania e Ali Ahmetit me familjen dhe bashkëpunëtorët e tij e ka nderuar Prizrenin, teksa tha se do të vazhdojnë të nderojnë njerëz të kalibrit të tillë.


MË SHUME NGA Kosovë