Ndalohet shitja e mbi 49 mijë paketimeve të hurmës në Kosovë
BKT
Kosovë

Ndalohet shitja e mbi 49 mijë paketimeve të hurmës në Kosovë

K.Kasumi/RTKlive

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndaluar shitjen e 49 352 paketimeve të produktit hurma për mospërputhje të peshës së deklaruar në parapaketim.

Në njoftim thuhet se gjatë inspektimeve të zakonshme që Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut realizon çdo ditë, në disa subjekte ekonomike të inspektuara është hasur në parregullsi sa i përket mospërputhjes së peshës së deklaruar të produkteve.

“Bëhet fjalë konkretisht për produktin hurma, me ç’rast është ndaluar shitja e 49 352 paketimeve të këtij produkti. Inspektorët e Tregut, në bashkëpunim me zyrtarët e metrologjisë, pas marrjes së mostrave, kanë konstatuar se produktet hurma të peshës 550 gramë dhe 600 gramë nuk e kanë peshën e deklaruar sikurse në parapaketim dhe të njëjtat nuk e plotësojnë kriterin e mesatares dhe atë të përmbajtjes në etiketë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se, si rrjedhojë, subjektet ekonomike janë obliguar t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’i eliminuar këto parregullsi, përkatësisht të vendosin deklaracionin me peshën e saktë të produkteve, dhe në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencën e drejtë në tregun e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MINT-it publikuar në rrjetin social Facebook.


MË SHUME NGA Kosovë