Çeku: Transformohet Pallati i Rinisë për sportistë e artistë
M.Miftari/RTKlive
Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka bërë të ditur transformimin e Pallatit të Rinisë në shërbim të artistëve, sportistëve dhe të rinjve.
Çeku, përmes rrjetit social “Facebook”, ka shkruar se pas renovimit të dy hapësirave të rëndësishme, palestrës së sportit dhe amfiteatrit të TKK-së, radha e transformimit është Pallati i Rinisë që do të jetë në shërbim të artistëve sportistëve dhe të rinjve.
Sipas tij, e gjithë kjo në përgatitje me dinamikë të lartë për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
“ Sot kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Mrika Gashin, kryeshefe e ndërmarrjes publike ‘Pallati i Rinisë’. Në planin tonë të investimeve parashihen ndërhyrjet për rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit (salla universale), hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, platosë dhe parkingut nën-tokësor”, ka shkruar Çeku.
























