Katër dëshmorët e lirisë, flasin familjarët|Video
BKT
Kosovë

Katër dëshmorët e lirisë, flasin familjarët|Video

Elmina Osmani /RTK

Derisa bëheshin gati për të festuar çlirimin, në kacafytje me paramilitarët serbë e në mbrojtje të civilëve shqiptarë, më 15 qershor 1999, në Prishtinë u vranë Arianit Berisha, Venet Bajramaj, Nezir Gashi e Uran Ajeti. Familjarët tregojnë se për ta është shumë e vështirë t`i kujtojnë ato ditë dhe të pajtohen me faktin se bijtë e tyre, paramilitarët serbë i vranë derisa KFOR-i ishte në Kosovë dhe ku të gjithë bëheshin gati ta festonin ardhjen e lirisë.

Më 15 qershor kur Prishtina numëronte ditën e tretë të çlirimit, nga paramilitarë serbë që ishin në largim, u vranë Arianit Berisha, Venet Bajramaj, Uran Ajeti e Nezir Gashi. Ata u vranë por dikush siç thoshte At Zef Pëllumbi, “Rrnoi për me tregue”.

Ardian Gashi i mbijetuar i këtij sulmi, teksa kujton atë ditë, tregon se bashkë me shokë ishin duke përcjellë qytetarët që po hynin në banesat e tyre, pasi kishin takuar ushtarët e KFOR-it. Në ato momente, fillimisht u sulmuan nga një grup serbësh civilë por që pas tyre erdhën edhe dhjetëra paramilitarë të armatosur.

 “Kah ana tjetër na kanë ardhë paramilitarë të armatosur dhe specialistë në gjuajtje pasi Urani dhe Veneti janë gjuajt direkt me nga një plumb në zemër. Ata dy kanë vdekur në të njëjtën ditë, nuk kanë mundur të hyjnë as deri në hyrje, këtu kanë mbetur. Arianiti nuk e ka pa që është duke u bërë asi masakre dhe iu ka gjuajt në revole me shqelm dhe e ka kapë plumbi në fytyrë. Mu më kanë gjuajt, unë për fat kam qenë i mbuluar prej atyre që doni me më therë e pre. Me kanë gjuajt për toke dhe më ka kapë plumbi, rikoshe nga toka këtu ndër sqetull”, thotë Ardian Gashi i mbijetuar i sulmit të 15 qershorit 1999.

Imer Bajramaj, babi i dëshmorit Venet Bajramaj, me shumë dhimbje kujton ditën e kobshme kur mori vesh se djali i tij u vra, në ditën e tretë të çlirimit.

“Kanë dashtë me tentua me hy brenda këtu më herët, atë ditë kanë tentua me hy prapë një grup mjaft i madh, nuk i kanë lanë. Janë dalë me ta fyt dhe kanë mbetur të vdekur. Ka qenë shumë e rëndë por në anën tjetër prapë aferim iu qoftë që e kanë mbrojt. Për vend të tyre kanë shku", thotë Imer Bajramaj babai i dëshmorit Venet Bajramaj.

Të vritet vëllai, kur mendon se vendi ishte çliruar, për Arbënore Berishën, motrën e Arianitit, është shumë vështirë.

"Sa herë e kujtojmë atë ngjarje, nuk është e lehtë për ne. Pikërisht se menduam se liria erdhi. Planifikonim atëherë me festua, kishin bërë një plan të rinjtë tanë me festua hyrjen e trupave të NATO-s edhe në ato momente të gëzimit ndodhi e gjithë kjo, e papritur”, thotë ajo.

Në shenjë përkujtimi, familjarë e qytetarë vendosën kurora lulesh në vendin ku ranë katër dëshmorët në Prishtinë.

 


MË SHUME NGA Kosovë