Rama kërkon që punëtorët të lirohen më herët nga puna, parashihen reshje
K. K. / RTKlive
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka paralajmëruar për përkeqësim të motit në Prishtinë në ditën e sotme. Ai ka ka kërkuar nga institucionet publike dhe private që punëtorët t’i lirojnë më herët nga puna për ta shmangur trafikun e dendur.
Ai ka thënë se kanë dalë në terren për ta vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë në pikat kyçe, në mënyrë që të evitohen dëmet në raste të ngjashme.
“Pas konsultimeve me institucionet përkatëse, krijuam shtabin e krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim, duke marrë parasysh parashikimet për reshje të ngjashme. Së bashku me zjarrfikësit, ekipet tona të emergjencës kanë ndërhyrë në 100 raste të lajmëruara nga qytetarët”, ka shkruar Rama.
Më tutje, ai i ka kërkuar nga qytetarët që ta shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites, si dhe u ka sugjeruar institucioneve publike dhe private t’i lirojnë punëtorët më herët nga puna për ta shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites, meqë parashihen reshje shiu me intensitet të lartë sikur dje.
“Siguria e të gjithëve është prioriteti ynë kryesor, prandaj jemi në terren në çdo kohë! Për çdo problem, telefononi në numrat kujdestarë (pa pagesë) 080012233 dhe 080012244”, ka shkruar i pari i kryeqytetit.























