Zjarret në Prevallë ende nuk janë shuar, kërkohet ndihma e KFOR-it
N.M. /RTKlive
Zjarret në malet e Prevallës ende nuk janë shuar. Ende vazhdojnë te jenë aktive disa vatra të zjarreve pyjore në Parkun Kombëtarë “Sharri”.
Edhe të dielen dhe sot ka vazhduar monitorimi i zjarreve ne zonën e Oshlakut dhe Prevallës në territorin e Parkut Kombëtarë “Sharri”, njofton Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës
“Së bashku me stafin e DAPK “Sharri”, në monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit, janë angazhuar edhe mbi 20 zjarrfikës nga brigada e zjarrfikësve të Prizrenit dhe një ekip e Policisë së Kosovës nga stacioni i Prizrenit. Në shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij janë angazhuar edhe disa vullnetarë, thuhet në këtë njoftim.
Bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe pjesëtaret e FSK për të bërë vlerësimin e situatës për ndërmarrjen e masave për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij.
Shuarja e zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij deri me tani ka qenë i pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit, erërave të forta dhe pamundësisë së intervenimit të zjarrfikësve me automjete përkatëse për shuarjen e zjarreve.
Si pasojë zjarri po vazhdon të përhapet edhe më tutje në drejtim të fshatit turistik të Prevallës dhe tashmë ka përfshirë edhe zonën strikte të natyrës “Maja e Arnenit”.
Bëhet e ditur se sot gjatë paradites, drejtori i DAPK “Sharri” Bajram Kafexholli, ka realizuar një takim edhe me përfaqësuesit e KFOR-it nga të cilët tash disa ditë është kërkuar intervenimi me helikopter për shuarjen e zjarrit.
Përfaqësuesit e KFOR-it, kanë thënë që janë duke monitoruar gjendjen dhe duke analizuar mundësitë e intervenimit.
Që nga data 5 gusht në afërsi të Prevallës së Prizrenit kanë shpërthyer disa vatra zjarri. Për shkak të temperaturave të larta dhe konfiguracionit të vështirë dhe pamundësisë për të intervenuar nga toka zjarri ka marrë përmasa të mëdha


























