Kurti e Rexhepi takojnë përfaqësues të OJQ-ve boshnjake e serbe në Kosovë
BKT
Foto arkiv
Kosovë

Kurti e Rexhepi takojnë përfaqësues të OJQ-ve boshnjake e serbe në Kosovë

RTKlive

Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi bashkëbiseduan sot me grupe përfaqësuesish të OJQ-ve boshnjake dhe serbe nga Kosova, përfshirë edhe ato që veprojnë në komunat në veri të vendit.

Nga qeveria theksojnë se në takime u diskutua për situatën e përgjithshme socio-ekonomike dhe politike, zhvillimet e fundit dhe temat aktuale.

Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministrja Rexhepi u njoftuan rreth veprimtarive të OJQ-ve, punën që e bëjnë në komunitete dhe projektet e tyre në promovimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ngritjen e mirëqenies së tyre.

Bëhet e ditur se mes tjerash u bisedua edhe rreth çështjes së hapjes së Urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër.

“Kryeministri i dëgjoi me vëmendje këndvështrimet dhe komentet e gjithsecilit, përfshirë ato për reagimet e mundshme. Ai e theksoi vullnetin e mirë të qeverisë të shfaqur ndaj të gjitha komuniteteve joshumicë, pa dallim, për gjatë gjithë mandatit, përmes programeve të punësimit dhe transfereve.

SuperPuna, Qeveria për Familjet, praktika me pagesë, programi Kosovo Generation Unlimited, Praktikë në Qeveri, fondi 3 milionësh për komunitete joshumicë, grantet e ndryshme, pakot mbështetëse e masat për efiçiencë, tanimë janë emërtime të mirënjohura në të cilat ndjehet dhe lexohet dora e mirë e shtetit demokratik të Kosovës. Nga të gjitha këto kanë përfituar të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

“Po ai vullnet dhe interes e përcjell edhe qëllimin për hapjen e urës në Mitrovicë, nga e cila përfitojmë edhe në ekonomi, me lëvizjen e lirë të mallrave, përveçse në aspektin shoqëror e kulturor me shkëmbime sa më të shpeshta dhe integrim sa më të qëndrueshëm”, theksohet tutje në komunikatën e Zyrës për Komunikim Publik.

 

 

 


MË SHUME NGA Kosovë