Kultivuesit e mollës e rrushit në hall me sigurimin e punëtorëve |Video
Hana Marteti/RTK
Rahoveci dhe Kovraga ende kanë toka që mund të bëhen plantacione me rrush dhe mollë, por janë në rrezik të tkurrjes për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Kultivuesit thonë se po detyrohen të ofrojnë kushte shtesë për punëtorët me të vetmin qëllim që ata mos të largohen nga puna.
Vreshtari Nysret Shala nga fshati Zoçishtë tani është në fazën e fundit të vjeljes së rrushi. Ai thotë se Rahoveci ka ende potencial për vreshta të reja, por mungon fuqia punëtore. Për këtë shkak shumë hektarë me vreshta të Rahovecit rrezikojnë të tkurren në pranverën e ardhshme.
“Gjeneratat e shtyme në moshë me pamundësi me i punua tokat ato janë tkurrë, e të rinjtë kanë më pak interesim”, tha Nysret Shala , vreshtar në Rahovec.
Ashtu si plantacionet e rrushit në Rahovec, edhe kultivimi i mollës në Kovragë ka nevojë për fuqi punëtore.
Agim Blakaj, i cili ka 10 hektarë me mollë, thotë se vështirësia më e madhe e verës që shkoj ishte mungesa e punëtorëve, e kjo i kushtëzon që mos të zgjerohen më shumë.
“Të rinjtë janë më shumë të interesuar me shkollën, të hyjnë në punë në institucione, na ndihmojnë nga pak verës por nuk po mjafton”, tha Agim Blakaj, pemëtar në Kovragë.
Në Rahovec dhe në fshatrat përreth janë më shumë se tre mijë kultivues të rrushit, ndërsa në Kovragë shtrihen 120 hektarë me mollë, të cilat punohen nga 14 kultivues, por nuk arrihet që të mbulohen kërkesat e tregut.























