Raporti, ‘Diskriminimi në punësim’: Të dhënat tregojnë se ka pabarazi|Video
BKT
Kosovë

Raporti, ‘Diskriminimi në punësim’: Të dhënat tregojnë se ka pabarazi|Video

Arbana Hajredinaj / RTK

‘Internews Kosova’ ka lansuar raportin “Diskriminimi sistematik në hapësira dhe punësim”. Raporti është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe është hartuar në kuadër të projektit “Luftimi i diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në baza gjinore”.

Raporti është produkt i monitorimit dhe hulumtimit gjashtëmujor me vizita direkte në 27 institucione publike, pesë komuna dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me fokus qasjen e kategorive të margjinalizuara të shoqërisë në hapësira publike dhe respektimin e ligjit nga institucionet në fokus.

“Luftimi i diskriminimit është vlerë thelbësore e Bashkimit Evropian, meqë diskriminimi minon parimin e barazisë dhe mos-diskriminimin të mishëruara në konventën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, tha Johannes Stenbaek Madsen, BE.

“Shumica e të dhënave të cilat i kemi gjetur po na tregojnë që po vazhdojmë me qenë shoqëri diskriminuese, shoqëri e cila nuk garanton qasje të barabartë ashtu qysh e proklamon kushtetuta jonë, ashtu qysh e proklamojnë standardet evropiane e fatkeqësisht qysh ne e ëndërrojmë si vend”, tha Kreshnik Gashi, nga ‘Internews Kosova’.

“Është një lëvizje në kuptimin e punësimit por gjithmonë ajo çfarë synojmë dhe çfarë duhet bërë të punohet në mënyrë paralele sepse edhe vet raporti e identifikoj çështjen e edukimit, sepse duhet të punohet në edukim sepse kjo është një lehtësim në punësim në administratë apo cilindo sektor duke përfshirë edhe sektorin privat”, tha Habit Hajredini, ZKM.

Ky raport është i dyti i këtij lloji që ofron rekomandime konkrete për zbatimin e politikave kundër diskriminimit në institucione. Raportin e parë: “Diskriminimi sistematik në hapësira dhe punësim”, i cili është hartuar nga IKS dhe është publikuar në vitin 2023.


MË SHUME NGA Kosovë