Rama: Rruga ‘Nekibe Kelmendi’, lehtëson komunikacionin në kryeqytet
Fatos Cervadiku /RTK
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, në përfundim të punimeve, ka vizituar rrugën ‘Nekibe Kelmendi’. Ai tha se përfundimi i kësaj rruge i ndihmon komunikacionit në kryeqytet. Sipas komunarëve, ky projekt është përfunduar më herët se që ka qenë në plan.
Në përfundim të punimeve, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, vizitoi rrugën ‘Nekibe Kelmendi’. Rama tha se përfundimi i kësaj rruge i ndihmon komunikacionit në kryeqytet.
“Jemi në përfundim të punimeve dhe një punë e madhe që është bërë në këtë pjesë një segment prej 1.7 kilometrave. E kemi pasur të ndarë në tri zona dhe këtu po përfundojmë këtë pjesën e fundit. E dini të gjithë se si ka qenë qasja dhe rruga ka qenë gjendje katastrofale, kurse tani është transformua që i ndihmon për një trafik më të mirë në qytet. Dalëngadalë me intervenime të ndryshme nga të gjitha pjesët e kryeqytetit po transformojmë infrastrukturën ne kryeqytet. Vetëm po angazhohemi të bëjmë transformimin për të mirën e qytetarëve të kryeqytetit”, tha kryetari Rama.
Drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, foli për koston e projektit duke shtuar se e kanë përfunduar më herët sesa ka qenë e planifikuar .
“Kjo na ndihmon në momentin e asfaltimit të rrugës ‘A’ dhe kjo ka me qenë si nyje kyçe për zgjedhjen e problemit të komunikacionit. Përveç që jep zhvillim Prishtinës së re, ka me qenë një nyje e jashtëzakonisht në zgjidhjen e komunikacionit. Kostoja është 950 mijë euro, në total dy milionë euro 1.7 kilometra segment”, tha Xhaferi.
Gjatë ditës, kryetari Rama, bashkë me drejtoreshën e Kulturës, Sibel Halimi, inspektuan punimet në tunelin e Kurrizit.























