Dita Botërore për Parandalimin e Abuzimit ndaj Fëmijëve
BKT
Kosovë

Dita Botërore për Parandalimin e Abuzimit ndaj Fëmijëve

Sh.G / RTKlive

Çdo vit, më 18 nëntor, shënohet Dita Botërore për Parandalimin e Abuzimit ndaj Fëmijëve, e cila ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë abuzimi dhe të promovojë masa konkrete për parandalimin e kësaj dukurie shqetësuese.

Në emisionin e mëngjesit në RTK, Florinda Gashi, menaxhere e projektit në Qendrën për Parandalimin e Abuzimit ndaj Fëmijëve, ka folur për rëndësinë e ngritjes së vetëdijes për këtë çështje dhe ndarjen e përgjegjësisë mes institucioneve dhe komunitetit.

“Ne si organizatë kemi planifikuar që këtë ditë ta përdorim për të ngritur vetëdijen mbi këtë temë kaq të rëndësishme dhe emergjente për shtetin tonë. Statistikat tregojnë se janë ekzaminuar 47 raste, një djalë dhe 46 vajza janë viktima. Kjo na bën të kuptojmë se dhuna është e bazuar në gjini dhe duhet të trajtohet me seriozitet dhe masa parandaluese...Qëllimi i kësaj dite është ngritja e vetëdijes për këtë temë në mese të institucioneve komunitetit që përfshihet familja shkollat, media akter të tjerë përfshirë edhe organizatat jo qeveritare për të ofruar mbështetjen e duhur dhe të zhvillojnë mekanizma dhe strategji të duhura  për parandalim të kësaj dukurie të keqe”, ka theksuar Gashi.

Sipas statistikave të UNICEF-it, abuzimi ndaj fëmijëve prek një numër të madh viktimash të moshës 0 deri në 16 vjeç. Gashi ka theksuar se rastet më të shpeshta përfshijnë vajza të moshave të reja, duke përfshirë edhe 7 dhe 9 vjeç.

“Fatkeqësisht, shumica e abuzuesve janë persona që fëmijët i njohin, si anëtarë të familjes, nxënës të klasës, ose njerëz që takojnë gjatë jetës”, ka deklaruar ajo.

Kjo ditë shërben si thirrje për veprim të menjëhershëm dhe solidaritet për të mbrojtur fëmijët dhe për t’i ofruar çdo fëmije një fëmijëri të sigurt dhe të lumtur.


MË SHUME NGA Kosovë