Mujko Nimani:Gratë dhe fëmijët, viktimat më të shpeshta të dhunës digjitale
K. K. / RTKlive
Visare Mujko Nimani, shefe e zyrës së UNFPA-s në Kosovë, tha se “dhuna digjitale vjen në të gjitha format, nga keqpërdorimi i fotografive, shantazhi, paraqitja e të dhënave personale, postimi i fotografive pa pëlqimin tuaj, madje shkon deri te pornografia. Kështu që zakonisht viktimat janë ata më sensitivët dhe që kanë mundësi më pak të reagojnë. Gratë dhe fëmijët, si gjithmonë, janë viktimat më të shpeshta të dhunës, por jo vetëm ata”.
Për të tretën herë organizohet fushata globale nga UNFPA “Body Right”.
Visare Mujko Nimani, shefe e zyrës së UNFPA-s në Kosovë në“Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, theksoi se ndryshimet e para në ligjet e Kosovës kanë filluar te fëmijët për shkak të ndjeshmërisë por, sipas saj, “edhe ne të gjithë si komunitet, si prindër, duhet të kemi kujdes, se nuk po mund t’i përcjellë ligji zhvillimet e mëdha teknologjike”.
“Për fat të keq, ka pasur raste kur ka përfunduar tragjikisht për shkak të keqpërdorimit digjital dhe për atë UNFPA ka iniciuar kampanjë në mënyrë që të shikojmë si t’i paraprijmë dhe parandalojmë këtë aspekt, sidomos në aspektin ligjor, që ashtu siç është dhuna në jetën normale e dënimi me ligj të jetë edhe për jetën virtuale”, tha ajo.
Ndër të tjera ajo, tha se prej që e kanë filluar kampanjën në Kosovë, kanë pasur diskutim me Ministrinë e Drejtësisë. “Në mesin e aktiviteteve të tjera, kanë bërë edhe analizimin e ligjit në Kosovë, sa ka hapësirë për përmirësim”, tregoi ajo.
“Besoj se ka hapësirë jo vetëm në Kosovë, por edhe globalisht, në aspektin e denueshmërisë, parandalimit të dhunës digjitale, specifikisht dhunës seksual. Ministria e Drejtësisë ka shfaqur iniciativën t’i rishikojë ligjet. Kemi hapa fillestarë për t’i ndryshuar ligjet”, theksoi Mujko Nimani.























