Prekazi: “Një jetë në Gajtan”, pasqyron diversitetin kulturor në Mitrovicë
K. K. / RTKlive
Sonte hapet ekspozita etnologjike “Një jetë në Gajtan” në Mitrovicë. Nora Prekazi, drejtoreshë e Muzeut dhe kuratore e ekspozitës, tha se në këtë ekspozitë shpalosen veshjet e jashtme, ‘ku shihet gjinia, diversiteti kulturor i Mitrovicës, ka jelekë të shumtë, ka dallame, mitanë të fshatit e të qytetit, me gajtan të punuar nga fije të arit të argjendtë të pambukut, shihet veçantia e veshjeve që e kemi në regjion, gjithë jeta në këto veshje’.
Prekazi për RTK-në theksoi se “gajtani është pjesë e madhe e traditës tonë. Gjendet në kulturën shpirtërore, në këngë, në aspekte të ndryshme, por shumë është i pranishëm në veshjen tonë”.
Gjithashtu, ajo ka thënë se në këtë ekspozitë i shpalosin veshjet e sipërme, xhaketat e ndryshme që hyjnë në rolin e mitanëve, xhamadanëve, dollamave, jelekëve.
“Në këto veshje, pra që është një monumentum i rëndësishëm, personifikon një moment të jetës, një festë të jetës, pastaj ka dallime gjinore, etnike, religjioze”,ka theksuar Prekazi.
Po ashtu, njoftoi se do të ketë program edukativ. “Do t’u mundësojmë fëmijëve në punëtori të ndryshme të inspirohen me veshje dhe nga janari i vitit tjetër do të bëjmë edhe grupin e thurjes, që është një element që ka ekzistuar në kulturën tonë, e që po e institucionalizojmë”, ka thënë ajo.
Kurse, Fitore Bala Bucaliu, menaxhere e projektit në kuadër të ekspozitës, tha se një prej aktiviteteve do të jetë punëtoria me fëmijë. Ekspozita hapet në orën 18:00.























