Rama shpreson se qeveria e re do të fokusohet në zhvillimin e Prishtinës
G.K/RTKlive
Një ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, shprehu shpresat e tij se qeveria e re do të fokusohet në zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të kryeqytetit.
Duke uruar fituesit e zgjedhjeve, Rama theksoi se ai ka besim që Prishtina do të jetë një nga prioritetet kryesore të agjendës qeverisëse, duke e cilësuar qytetin si "zemra e funksionimit të shtetit, motori i zhvillimit ekonomik dhe imazhi ynë në botë."
"Shpresojmë që shumë shpejt të formohet qeveria e re dhe që Prishtina të jetë një ndër prioritetet kryesore në agjendën qeverisëse," tha Rama, duke shtuar se zhvillimi i Prishtinës kërkon një "program të qartë qeverisës, investime strategjike dhe një qasje të menduar mirë" për ta bërë kryeqytetin një model të zhvillimit modern dhe europian.
Për Kryetarin e Prishtinës, një Prishtinë moderne, funksionale dhe e urbanizuar me vizion është thelbësore për "një Kosovë të fortë dhe konkurruese në rajon." Ai nënvizoi se do të jetë i hapur për bashkëpunim me të gjitha palët për të arritur këto objektiva, duke theksuar se Prishtina duhet të ketë "vendin që i takon në hartën e zhvillimit kombëtar."
Rama gjithashtu përgëzoi qytetarët për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje dhe shprehu besimin se qyteti do të vazhdojë të jetë zëri i progresit dhe zhvillimit në Kosovë.























