Sfidat dhe mundësitë e integrimit të fëmijëve me nevoja të veçanta
Sh. Gashi/ RTKlive
Psikologja Kosovare Gashi nga Instituti Kosovar për Logopedi dhe SOS Kopshti, në emisionin "Mirëmëngjesi Kosovë" në RTK, ka folur për mënyrën se si funksionon ky kopsht, veçanërisht për fëmijët me nevoja të veçanta.
Ajo theksoi rëndësinë e pranimit të faktit nga prindërit për fëmijët që funksionojnë ndryshe dhe për përfshirjen e hershme të këtyre fëmijëve në institucione parashkollore.
"Para se të arrijmë në diagnostikim, ne gjithmonë mundohemi që prindërve t'u lehtësojmë pranimin e faktit që kanë një fëmijë që funksionon ndryshe nga fëmijët e tjerë. Tek këta fëmijë është shumë e rëndësishme kyçja e tyre e hershme në institucione parashkollore", tha Gashi.
Gashi shpjegoi gjithashtu se njëra nga arsyeja pse është formuar SOS Kopshti është për t'u ofruar mundësi fëmijëve me nevoja të veçanta të kenë qasje të barabartë me fëmijët tipikë. Ajo theksoi: "Arsyeja pse u formua SOS Kopshti është për t'u dhënë mundësi këtyre fëmijëve që të kenë qasje të njëjtë me fëmijët e tipikë, duke i integruar ata në grupet moshore të cilave u takojnë, në mënyrë që të ndjehen të barabartë."
Në përfundim, Gashi theksoi se fëmijët në SOS Kopsht nuk janë pjesë e grupit vetëm në mënyrë indirekte, por janë pjesëmarrës aktivë, me një plan individual dhe kujdes të veçantë. Ajo shpjegoi: "Këta fëmijë tek ne në kopsht nuk janë pjesë e grupit në mënyrë indirekte, por pjesë e grupit në mënyrë direkte. Ata funksionojnë me një plan individual të shoqëruar nga një kujdestare. Ne sigurohemi që ata fëmijë të jenë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet, pa marrë parasysh se si ata funksionojnë në aspektet fizike dhe intelektuale."
Kjo qasje e SOS Kopshtit ka për qëllim të sigurojë integrim të plotë dhe zhvillim të barabartë për fëmijët me nevoja të veçanta.























