Familja hap dyert për ngushëllime, Thaçi mungon për shkak të paraburgimit
BKT
Kosovë

Familja hap dyert për ngushëllime, Thaçi mungon për shkak të paraburgimit

Elmina Osmani / RTK

Shtëpia e familjes Thaçi në Burojë sot ishte e mbushur me njerëz pasi pas ndarjes nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, familja e tij hapi dyert për ngushëllime.

Pak metra larg shtëpisë, djemtë e Haxhi Thaçit pritën figura publike, ish-bashkëluftëtarë, miq dhe qytetarë të shumtë shkuan për të ndarë dhimbjen me ta e për të nderuar një burri të njohur për urtësinë e tij.

Ajo që rëndonte edhe më shumë atmosferën ishte mungesa e Hashim Thaçit, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Megjithatë, pak ditë më parë, ai kishte pasur mundësinë të vizitonte babanë e tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku kishte kaluar disa orë pranë tij nën masa të rrepta sigurie.

Për të ngushëlluar Familjen Thaçi erdhi lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se Babai i Hashimit ishte një njeri i urtë dhe fisnik, një burrë që i dha shumë kësaj toke me djemtë e tij dhe kontributin për lirinë e vendit.

“Ka qenë një njeri që unë i them më shumë se sa vetëm një prind i njeriut që ka udhëheqë procesin e çlirimit dhe dhe pavarësimit të vendit, po një karakter epik ashtu siç i kemi mësuar edhe në të kaluarën edhe në traditën tonë, ata shqiptarë e mirë e të vërtetë që kanë ditë me i edukuar jo vetëm familjet e tyre por të gjithë brezat”,ka thënë Krasniqi.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili poashtu ishte për ngushëllime në Familjen Thaçi derisa e vlerësoi lart figurën e të ndjerit, tha se kjo humbje vjen në një kohë të rëndë për familjen, pasi Hashim Thaçi ndodhet në Hagë, ku po përballet me procesin gjyqësor mbi luftën e UÇK-së.

“Besoj shumë se nga kjo vuajtje, dhimbje, sakrificë do të nxjerrim mësimet më të mira të shqiptarëve e me ju kushtuar atdheut, lirisë në vazhdimësi në mënyrë që edhe gëzimet edhe hidhërimet ti bëjmë ashtu si na takojnë”, ka thënë Haradinaj.

Për ngushëllime në Familjen Thaçi ishte edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, e njëherësh kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza si dhe shumë qytetarë.

Haxhi Thaçi ndërroi jetë të dielën në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas kujtime dhe një histori të gjatë që lidhej me kohët e vështira të Kosovës. Haxhiu do të varroset të martën në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt. Ajo që ende nuk dihet është pjesëmarrja e ish-presidentit në varrim, nëse i miratohet lirimi nga Dhomat e Specializuara.


MË SHUME NGA Kosovë