Nika: Fusha e mjedisit duhet bërë prioritet
BKT
Kosovë

Nika: Fusha e mjedisit duhet bërë prioritet

K. K. / RTKlive

Sot është Dita e Botërore e Riciklimit. Arben Nika, drejtor i Qendrës për Edukim dhe Zhvillim të Mjedisit – CEDE, theksoi se riciklimi është një proces që fillon prej grumbullimit, ndarjes e pastaj përpunimit në produkte të reja. Sipas tij, nuk mund të flitet për riciklimin përderisa kemi probleme me grumbullimin, edhe pse disa komuna kanë marrë iniciativa për ndarjen e mbeturinave ose riciklim por, sipas tij, prapë është e pamjaftueshme.

Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se “të flasim sot në vitin 2025 për grumbullimin bazik, thjesht më vjen keq”.

Po ashtu, ai tha se ende institucionet tona nuk e kanë marrë me seriozitet zgjidhjen e problemit të mbeturinave, duke filluar nga grumbullimi bazik e deri te përpunimi i tyre ose riciklimi.

“Ne si organizatë që t’i arrijmë objektivat vetë e kemi të pamundur. Më herët  i kanë marrë mbi supe institucionet tona, por sot pak janë duke bërë për këtë punë. Prej vitit 2011-2012 e tutje, prej që ka filluar veç të mendohet për menaxhimin e mbeturinave e deri sot, është bërë një ndryshim i madh, mirëpo prapë nuk është e kënaqshme”, tha ai. 

Ndër të tjera, ai shtoi se duhet “bërë prioritet fusha e mjedisit, e cila ndikon në shëndetin dhe mirëqenien tonë”.

“Në vitin 2016 përqindja e inkasimit për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave ka qenë 25 deri 30 %, ndërsa sot është mbi 90 %. Qytetari është i gatshëm të paguajë, por kërkon cilësi”, tha  Nika.


MË SHUME NGA Kosovë