Lladrovci:`Feronikeli` do të zvogëlojë numrin e punëtorëve me orar të plotë
V.TH / RTKLive
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se në fabrikën e “Feronikelit” do të zvogëlohet numri i punëtorëve me orar të plotë.
Lladrovci ka thënë se ky vendim është bërë i ditur në një takim me Faruk Beqirin, drejtor i “Feronikelit” dhe Shpend Gudaqin, udhëheqës i Zyrës për Ndërlidhje me Komunitetin, që sipas tij në këtë takim është njoftuar me planet e kompanisë për ndërprerje afatgjatë të punës.
I pari i Drenasit ka thënë se drejtori e ka njoftuar se për shkak të çmimit të papërballueshëm të energjisë, çmimit të ulët të nikelit, kompania për dy vite ka pasur humbje të mëdha dhe të vazhdueshme, dhe se përkundër situatës së rëndë ka mbajtur punëtorët e angazhuar pjesërisht.
“Tani kanë marrë vendim për zvogëlimin e numrit të punëtorëve me orar të plotë dhe ftohjen e furrës elektrike, një aset kyç në operacionet e prodhimit. Injorimi i tërësishëm nga niveli qendror i këtij gjigandi që fati e deshi të jetë në Drenas, ka shtyrë këtë kompani që të hartojë skenarë të ndryshëm”, ka njoftuar Lladrovci.
Tutje ai ka thënë se fatkeqësisht, asnjëri nga skenarët nuk përfshin funksionalizimin e plotë të kompanisë e cila është punëdhënëse për 814 punëtorë të angazhuar drejtpërdrejt në kompani. Ai po ashtu ka theksuar se kufizimet e reja do të prekin edhe shumë kompani të cilat kanë ofruar shërbime deri më tani, dhe ka cekur se rrjedhimisht dhe qindra punëtorë të tjerë të cilët përmes kontratave me kompanitë e kontraktuara tjera sigurojnë mirëqenien e familjeve të tyre.
“Për dallim nga qeveritë e rajonit të cilat planifikojnë të subvencionojnë kompanitë simotra të “Feronikelit”, Qeveria e Kosovës ka treguar injorim të plotë e po ashtu edhe bordi i KPMM-së për licencat e kompanisë. Gjithsesi, me mirëkuptim, kërkova që para se të pushojnë veprimtarinë, të mbulojnë skorien e cila paraqet rrezik për ambientin dhe shëndetin publik”, ka thënë ai.
Sipas tij shkurtimet e tilla do të prekin mirëqenien e qytetarëve dhe do rrisin papunësinë në komunë. Dhe siç ka thënë tutje si pasojë e kësaj edhe më shumë do të rritet shpërngulja e punëtorëve të kualifikuar, gjë e cila do paraqiste vështirësi shtesë në rast të rifunksionalizimit të kompanisë.
“Andaj, përkrahja institucionale për vazhdimin e punës së furrës elektrike dhe prodhimin në përgjithësi në “Feronikel”, është e domosdoshme për ndaljen e humbjeve, njëkohësisht, ruajtjen e kuadrit, gjë e cila është në duar të nivelit qendror. Uroj të gjenden rrugë për vazhdimin e punës në këtë gjigant të industrisë së Kosovës!”, ka theksuar Lladrovci.























