Prishtina me mungesë të veturave zyrtare |VIDEO
BKT
Kosovë

Prishtina me mungesë të veturave zyrtare |VIDEO

Fatos Cervadiku/ RTK

Pas skadimit të kontratës së qirasë për 76 vetura, Komuna e Prishtinës po përballet me vështirësi në terren, ndërsa është në pritje të 25 veturave të reja përmes AQP-së.

Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte njoftuar se kontrata e lidhur nga Autoriteti Qendror i Prokurimit, që vepron nën Ministrinë e Financave, kishte skaduar dhe, sipas tij, pas skadimit, 76 vetura të marra me qira, ishte dashur të kthehen.

Tash, kur kanë kaluar disa muaj, nga komuna thonë se kanë qenë keq në terren, sa i përket kryerjes së punëve operative, sidomos për drejtoritë të cilat kanë një kompetencë e përgjegjësi më të madhe se të tjerat.

Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës, thotë se aktualisht operojnë me 10 vetura, derisa janë në pritje që t'i marrin 25 me qira.

"Jemi detyruar që përmes AQP-së prap, t'i sigurojmë 6 vetura, 4 i kemi pasur tonat, operojmë me 10 vetura tani dhe po presim që të marrim edhe 25 me qera, sipas procedurës së centralizuar përmes AQP-së", deklaroi ai.

Lushaku tha se zgjidhja më e mirë është që kjo kompetencë t'u delegohet komunave.

Derisa, në një përgjigje me shkrim nga AQP, për RTK-në, thuhet se të gjitha kontratat për furnizim dhe qira të veturave, janë nënshkruar dhe janë të publikuara në ueb-faqen e AQP-së si dhe në e-prokurim.


MË SHUME NGA Kosovë