Zeqir Veselaj flet për Raportin Hulumtues të Projektit “BRIDGING”
Sh.G|RTKlive
Në studion e RTK-së, i ftuar ishte Zeqir Veselaj, profesor i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës, për të diskutuar raportin hulumtues të projektit “BRIDGING”. Ai theksoi se Kosova renditet në ranglistat me ajrin më të ndotur, një problem që është evident.
“Po, në muajin tetor, Komisioni Evropian zakonisht i publikon raportet e progresit, dhe gjithmonë është një pritje për se çfarë do të thotë Komisioni Evropian për shtetin e Kosovës. Këto raporte të progresit nuk publikohen vetëm për Kosovën, por edhe për të gjitha shtetet që janë kandidate ose potencialisht kandidate. Këto raporte tregojnë se ku është shteti i caktuar në procesin e përgatitjes për integrimet evropiane”, tha Veselaj.
Ai shtoi se një nga kapitujt kyç të këtyre raporteve është kapitulli 27, i cili lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike. “Aty më ka interesuar të shoh se cilat janë vlerësimet që po bën Komisioni Evropian, e për të cilat ne ekspertët në përgjithësi pajtohemi. Kam qenë i interesuar të shoh se si po perceptohet kjo temë nga ata që ndoshta nuk e kanë pasur asnjëherë në dorë raportin e progresit. Ka qenë interesante për qytetarët”, shtoi ai.
Veselaj theksoi se ky raport është rezultat i një hulumtimi kuantitativ, të realizuar me studentë dhe profesorë, jo vetëm të Universitetit të Prishtinës, por edhe të gjashtë universiteteve të tjera të Kosovës. Hulumtimi, siç tha ai, është realizuar jo vetëm për ajrin e ndotur në Prishtinë, por për nivelin e përgjithshëm të vendit. Ky hulumtim mbulon të gjitha segmentet që trajton kapitulli 27, duke përfshirë aspekte të rëndësishme të mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.
Ky raport, sipas Veselaj, ka një rëndësi të madhe për të kuptuar situatën e mjedisit në Kosovë.























