Rama realizon takim mes bizneseve vendore dhe zyrtarit të lartë amerikan
BKT
Kosovë

Rama realizon takim mes bizneseve vendore dhe zyrtarit të lartë amerikan

G.K/RTKlive

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve vendore dhe zyrtarin e lartë amerikan Saul Anuzis, me fokus në krijimin e mundësive të reja për lidhjen e bizneseve kosovare me ato amerikane.

Kreu i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka organizuar një darkë pune me përfaqësues të bizneseve vendore dhe zyrtarin e lartë të Partisë Republikane në SHBA, Saul Anuzis – ish-kryetar i Partisë për shtetin e Miçiganit dhe aktualisht kryetar i Fondacionit 60Plus.

Në këtë takim, Rama theksoi rëndësinë që kanë bizneset vendore si bazë e zhvillimit ekonomik të vendit, duke nënvizuar nevojën për t’u ofruar atyre hapësira më të mëdha për bashkëpunim dhe përfshirje në tregun ndërkombëtar.

“Bizneset tona meritojnë mundësi reale për të qenë pjesë e zhvillimeve globale ekonomike. Ky është një hap drejt krijimit të lidhjeve të reja me bizneset amerikane dhe ndërtimit të një platforme që i shërben të gjitha bizneseve në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën,” u shpreh Rama.

Temë kyçe e diskutimit ishte zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik përmes politikave që jo vetëm fuqizojnë sektorin privat, por edhe ruajnë ambientin. Kryetari Rama veçoi ndotjen e ajrit si një ndër sfidat më të mëdha për shëndetin publik dhe mirëqenien kolektive.

Takimi u vlerësua si një hap domethënës drejt integrimit ekonomik dhe shkëmbimit të përvojave të suksesshme ndërkombëtare në mbështetje të zhvillimit lokal.


MË SHUME NGA Kosovë