Kompania Regjionale e Mbeturinave reagon ndaj Komunës së Prishtinës
V. Th. / RTKlive
(E plotësuar 17:20) Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, Sh.A., ka reaguar përmes një komunikate për media ndaj njoftimit dhe thirrjes së Komunës së Prishtinës që pagesat për faturat e mbeturinave të kryhen në zyrat e komunës.
Sipas “Pastrimit”, ky veprim i Komunës është i jashtëligjshëm dhe bie ndesh me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, e cila përcakton qartë se faturimi dhe pagesat duhet të bëhen përmes kompanisë së licencuar.
“KRM 'Pastrimi' shpreh shqetësim të thellë lidhur me veprimet e fundit të kryetarit Përparim Rama dhe Bekim Brestovcit, të cilët në mënyrë të njëanshme dhe pa bazë ligjore po udhëzojnë qytetarët që pagesat të bëhen në Komunë,” thuhet në reagim.
Ndërmarrja ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve hetimore për, siç thuhet, ndalimin e një praktike të paligjshme që sipas tyre rrezikon operimin financiar të kompanisë dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike.
“Ekzistojnë dyshime serioze se po tentohet të pamundësohet operimi i KRM 'Pastrimi' për t’i hapur rrugë tenderimeve të jashtëligjshme me operatorë privatë, me vlerë mbi 20 milionë euro”, thekson kompania në komunikatë.
Më poshtë gjeni Rregulloren që sipas "Ndërrmarjes Pastrimi" përcakton se ku duhet të bëhen pagesat për shërbimet e mbeturinave.

Nga ana tjetër, Komuna e Prishtinës ka vazhduar të këmbëngulë se qytetarët duhet të bëjnë pagesat në arkën komunale, duke krijuar një situatë të paqartë për qytetarët e kryeqytetit.
Sipas burimeve të RTKlive, në komunë janë krijuar radhë të gjata të qytetarëve që po kërkojnë sqarime lidhur me mënyrën dhe vendin e pagesës për faturat e mbeturinave. Ndërkohë, platforma e-Kosova vazhdon të dërgojë faturat direkt te kompania “Pastrimi”, duke e bërë situatën edhe më konfuzuese.
Aktualisht, të dy palët – Komuna e Prishtinës dhe KRM “Pastrimi” – ndodhen në një kontest gjyqësor, gjë që ka krijuar një boshllëk institucional dhe ka vënë qytetarët në një pozitë të vështirë.
Komuna e Prishtinës: Pagesat për bërllokun duhet të bëhen në Komunë
Sh.Ç /RTKlive
Komuna e Prishtinës ka dalë me një tjetër njoftim për pagesën e faturave për shërbimet e pastrimit. Komuna ka thënë se pagesa e faturave duhet të bëhet në komunë.
Sipas njoftimit, qytetarët që deri tash këto pagesa i kanë kryer në kompaninë “Pastrimi”, mjafton t’i kenë dëshmitë dhe se faturat do t’u llogariten si të paguara.
“Ju njoftojmë se pagesa e faturave për shërbimet e pastrimit duhet të bëhet në Komunë. Qytetarët që deri më tani kanë kryer pagesat në kompaninë “Pastrimi”, mund të paraqesin dëshmitë përkatëse dhe ato fatura do t’u llogariten të paguara. Ju ftojmë që të gjitha pagesat për pastrim t’i bëni në Komunë”, thuhet në njoftim”, thuhet në njoftim.























