Nderohen dëshmorët dhe martirët e Ribarit të Vogël, Blinajës dhe Kraishtës
RTKlive
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, sot ka bërë homazhe dhe ka vendosur buqeta me lule pranë pllakave përkujtimore të dëshmorëve dhe martirëve të fshatrave Ribar i Vogël, Blinajë dhe Kraishtë, në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën e tyre në rrugën drejt lirisë.
Me këtë rast, kryetari Ahmeti theksoi se sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve është themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë.
“Liria që gëzojmë sot nuk është dhuratë, është rezultat i gjakut të derdhur dhe i qëndresës për çlirim. Prandaj, është detyrë e jona t’i kujtojmë gjithmonë me nderim dhe mirënjohje të thellë. Nderimi për ta është respekt për vetë lirinë dhe ekzistencën tonë si popull dhe si shtet,” tha kryetari Ahmeti.
Ai theksoi se nderimi më i madh që mund t’u bëhet dëshmorëve dhe martirëve është të punojmë me përkushtim, ndershmëri dhe përgjegjësi për zhvillimin e vendit tonë. "Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!", tha Ahmeti.























