Abdixhiku, përkujton Heroin Sali Çekaj në 26 vjetorin e rënies
M.P|RTKlive
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përkujton Heroin Sali Çekaj në 26 vjetorin e rënies në Betejën e Koshares.
“Në prillin e një pranvere të dhimbshme të vitit 1999, kur vendi jonë po kalonte ditët më të vështira të historisë së tij, në lartësitë e ashpra të Koshares ra për të mos vdekur kurrë Komandant Sali Çekaj – VETERANI. Ai ra për lirinë e Kosovës. Ra në Koshare, atje ku u shkrua një nga faqet më të lavdishme të historisë sonë.
Sot, 26 vite pas rënies së tij heroike, nderojmë figurën e tij si simbol i rezistencës, i dijes, i veprimit politik dhe luftës së armatosur. Ai ishte një nga personalitetet më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – një vizionar, intelektual, një politikan dhe një ushtarak i jashtëzakonshëm", tha ai.
Sipas tij, edhe pse i detyruar të largohej nga vendlindja për shkak të përndjekjes nga regjimi serb, zemra dhe mendja e Sali Çekajt mbetën gjithmonë në Kosovë. E nisi betejën për liri shumë herët; dhe kur vendi ynë kishte më së shumti nevojë, la sigurinë e mërgimit për të marrë armën në dorë, përkrah bashkëluftëtarëve të tij në malet e Kosovës.
"Përderisa rezistencën e tij politike e nisi përmes aktivitetit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, krah Presidentit Historik Ibrahim Rugova, ku bashkë me shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, u bë dhe organizator i jashtëzakonshëm i shqiptarëve për t’i ndihmuar ata materialisht e politikisht, për çlirimin e vendit. Ndërsa vetë Sali Çekaj ishte pjesë e përpjekjeve të para për organizimin e rezistencës së armatosur, që nga fillimi i viteve ’90, në përgatitjen e grupeve të para guerile në Shqipëri – mes të cilëve ishin edhe komandanti Adem Jashari, Heroi Zahir Pajaziti, Ilaz Kodra dhe shumë të tjerë. Po ashtu ai, së bashku me Agim Ramadanin, ishin ndër ideatorët dhe drejtuesit e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare, një akt që shënoi një kthesë historike në luftën për çlirim. Me vizionin dhe përkushtimin e tij, Sali Çekaj mbetet një figurë e përjetshme e historisë sonë, ndaj edhe u nderua me titullin “Hero i Kosovës” nga Presidenti Historik, dr. Ibrahim Rugova. Sot, me përulësi dhe krenari, kujtojmë jetën, veprën dhe sakrificën e tij për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Lavdi jetës dhe veprës së Komandantit, Sali Çekaj!”", tha i pari i LDK-së.























