Hakaj: S`kemi bërë asnjë veprim për të frikësuar a dëmtuar ndonjë zyrtar
A.B|RTKlive
Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Imer Hakaj, ka thënë se departamenti i tij po përballet me sulme të vazhdueshme “nga të gjitha anët” për shkak të punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”.
"Në lidhje me lëndën e pranuar nga Komuna e Prishtinës në IKMM sipas detyrimeve ligjore, që lidhet me ndërhyrjet në Sheshin “Xhorxh Bush”, ku po përballemi me sulme të vazhdueshme dhe të paarsyeshme nga të gjitha anët ndaj punës sonë zyrtare si drejtues të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Këto sulme përfshijnë kallëzime penale ndaj inspektorëve të fushës dhe kërcënime publike ndaj zyrtarëve profesionalë, të cilët janë të mandatuar me ligj për të mbikëqyrur asetet dhe zonat e mbrojtura sipas Ligjit Nr. 02/L-088 për Trashëgiminë Kulturore dhe akteve tjera ligjore. Këto veprime përbëjnë presion të drejtpërdrejtë dhe të pajustifikueshëm, që synon të ndërhyjë në ushtrimin e detyrave tona zyrtare", tha ai.
Sipas tij, deri sot kanë mbetur të durueshëm në tejkalim të vetëvetës.
"Por tanimë, çdo tejkalim, ofendim apo presion publik kërkoj publikisht që të trajtohet institucionalisht dhe ligjërisht. Apeloj për ndërgjegje, ndershmëri dhe respekt të ndërsjellë në shërbim të interesit publik. Njoftimi im është bërë për të gjitha kërkesat e vazhdueshme që kam pranuar dje dhe sot nga mediat tona shumë të respektuara. Prandaj unë po ndihem me përgjegjesi të shkruaj keto fjalë, sepse gjatë gjithë kohës keni qënë të drejta në informim për publikun. Prandaj duke e llogaritur kohën time zyrtare dhe private, nuk po gjej kohë dhe mundësi për tu përgjigjur drejt në çdo moment të interesit të përgjithshëm", shkroi ai në 'Facebook'.























