KFOR realizon me sukses shpërthimin e një bombe në Kaçanik
BKT
Kosovë

KFOR realizon me sukses shpërthimin e një bombe në Kaçanik

M.M./ RTKlive

Personeli austriak i ekipit të asgjësimit të municioneve shpërthyese (EOD) të misionit KFOR, kreu sot një shpërthim të suksesshëm dhe të kontrolluar të një bombe që daton që nga Lufta e Dytë Botërore, në Kaçanik.

Përmes një njoftimi për medie, KFOR bën të ditur se pajisja, me peshë 250 kg, u gjet më 26 prill nga banorët vendas të zonës, pranë një lumi.

“Përgatitja dhe ekzekutimi i këtij aktiviteti u kryen në përputhje me standardet ndërkombëtare për të siguruar sigurinë e komunitetit vendas, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Komandantit të KFOR-it, gjeneral major Enrico Barduani”, thuhet në njoftim

Tutje, bëhet ditur se personeli i Forcave të Sigurisë së Kosovës gjithashtu ndoqi këtë aktivitet, si pjesë e trajnimit të tyre, në përputhje me mandatin e tyre fillestar, derisa Policia e Kosovës e rrethoi zonën.

“Ekipet e EOD-së përbëhen nga personel shumë i specializuar. Ata janë të trajnuar dhe të pajisur mirë për të trajtuar në mënyrë të sigurt municionet e pashpërthyera dhe janë gjithmonë të gatshëm t'u përgjigjen kërkesave për ndihmë në këtë fushë”, thuhet mes tjerash në njoftim.


MË SHUME NGA Kosovë