Punime pa masa sigurie, Prokuroria ndërhyn në Fushë Kosovë dhe Mazgit
BKT
Kosovë

Punime pa masa sigurie, Prokuroria ndërhyn në Fushë Kosovë dhe Mazgit

G.K/RTKlive

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë një sërë veprimesh në kuadër të planit të saj të punës për vitin 2025, me fokus në rritjen e sigurisë në vendin e punës.

Gjatë ditës së djeshme, në disa lokacione në Komunën e Fushë Kosovës janë evidentuar punime ndërtimore që zhvilloheshin pa pajisjet e nevojshme të sigurisë, duke vënë në rrezik jetën e punëtorëve dhe qytetarëve.

Si rezultat, në këto vendpunime janë ndaluar punimet nga autoritetet përkatëse. Gjithashtu, është inspektuar një rast aksidenti në vendin e punës në Mazgit, Komuna e Obiliqit.

Në terren ka dalë koordinatori për rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër sigurisë në punë – njëherit prokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë – i shoqëruar nga inspektorë të ndërtimit. Sipas njoftimit të Prokurorisë, janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të parandaluar pasojat e mundshme dhe për të rritur nivelin e sigurisë.

Ndër shkeljet e identifikuara ishin mungesa e skelave mbrojtëse, ashensorë të pambyllur dhe mungesa e masave të përgjithshme të sigurisë në objekte ndërtimi – elemente që përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e punëtorëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar përkushtimin e saj për të bashkëpunuar ngushtë me inspektorët përkatës dhe për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, me qëllim të parandalimit të veprave penale dhe zvogëlimit të rasteve fatale në vendin e punës.


MË SHUME NGA Kosovë