Nissinen dhe Vashchenko: Arsimi në Kosovë përballet me sfida
BKT
Kosovë

Nissinen dhe Vashchenko: Arsimi në Kosovë përballet me sfida

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, dhe shefja e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, përmes një editoriali të përbashkët kanë dhënë një vlerësim të drejtpërdrejtë për gjendjen e arsimit në vend, duke e cilësuar atë si një "situatë të tmerrshme", që kërcënon të lërë pas fëmijët më të cenueshëm.

"Sistemi arsimor i Kosovës përballet me një situatë të tmerrshme", theksojnë ata, duke u mbështetur në të dhëna alarmante siç është Indeksi i Kapitalit Njerëzor, sipas të cilit një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të arrijë vetëm 57% të potencialit të tij për shkak të investimeve të pamjaftueshme në arsim dhe kujdes shëndetësor.

Ata vënë në pah se rezultatet e Kosovës në testin PISA janë “vazhdimisht nën mesataren e OECD-së”, ndërsa “vetëm 15% e nxënësve demonstrojnë aftësi bazike në matematikë”.

Në editorialin e përbashkët thuhet se ndonëse 96% e fëmijëve janë të regjistruar në shkollën fillore, kjo pjesëmarrje “bie ndjeshëm ndërsa rriten, veçanërisht në mesin e komuniteteve të margjinalizuara, siç janë fëmijët romë, ashkalinj dhe egjiptianë”.

Ata shtojnë se “vetëm 84% janë të regjistruar në shkollën fillore, me pjesëmarrjen në arsimin e mesëm të lartë që bie në vetëm 31%, krahasuar me 87% në të gjithë vendin”.

Një tjetër pikë kritike që theksohet është ndarja digjitale, për të cilën autorët theksojnë se “Kosova u rendit e parafundit midis 35 sistemeve arsimore në Studimin Ndërkombëtar për Njohuritë në TIK (ICILS)”, duke e quajtur këtë renditje një “kontrast absolut” me vendet me performancë të lartë.

 

Gjendja është edhe më shqetësuese për fëmijët me aftësi të kufizuara. “Sistemi arsimor i Kosovës vazhdon të dështojë për fëmijët me aftësi të kufizuara, shumë prej të cilëve përjetojnë vështirësi funksionale, por u mungon mbështetja e nevojshme për të arritur sukses në klasë”, thuhet në editorial, ku theksohet se kjo ndikon drejtpërdrejt në rreth 8% të fëmijëve të moshës 2-17 vjeç.

Duke krahasuar me përvojën e Finlandës, Nissinen dhe Vashchenko propozojnë tri shtylla themelore për një reformë të suksesshme: edukimi digjital i hershëm, trajnimi gjithëpërfshirës i mësimdhënësve dhe qasja e barabartë në teknologji.

“Në Finlandë edukimi digjital është i integruar në të gjitha lëndët nga arsimi fillor, duke u përqendruar në kodim, edukim mediatik dhe qytetari digjitale të përgjegjshme”, theksohet në editorial, duke sugjeruar që edhe Kosova të adaptojë këtë model, duke ndërtuar një zhvillim gradual të aftësive digjitale në të gjitha nivelet e arsimit.

Autorët e editorialit theksojnë se në Kosovë shumë mësimdhënës ende nuk e kanë trajnimin e nevojshëm për të integruar në mënyrë efektive teknologjinë në mësimdhënien e tyre.

Ata bëjnë thirrje për investim në programe për ndërtimin e aftësive të mësimdhënësve, rrjete të mentorimit digjital dhe përfshirje të pedagogjisë digjitale në trajnimin e mësuesve para dhe gjatë punës së tyre.

Në aspektin e pajisjeve, theksohet se Kosova “duhet të sigurojë që të gjithë nxënësit të përfitojnë nga një mjedis gjithëpërfshirës i të nxënit digjital duke investuar jo vetëm në pajisje, por edhe në trajnimin e mësimdhënësve dhe sistemet e sigurimit të cilësisë”.

“Vetëm 36.8 për qind e fëmijëve të moshës 3-5 vjeç janë të regjistruar në EFH në Kosovë”, thuhet në editorial, duke e krahasuar këtë me standardin e BE-së prej 96%.

Megjithëse Strategjia e Arsimit e Kosovës 2022/2026 ka bërë përparime, pabarazitë vazhdojnë të jenë të mëdha. “Planifikimi i buxhetit i bazuar në fakte dhe shfrytëzimi efikas është i domosdoshëm për të arritur objektivin e regjistrimit prej 45% deri në vitin 2026”, theksojnë autorët, duke kërkuar që fokus të veçantë t’u jepet fëmijëve të komuniteteve të margjinalizuara dhe atyre me aftësi të kufizuara.

“Prosperiteti i ardhshëm i Kosovës varet nga aftësia e saj për të pajisur të rinjtë e saj me aftësitë që u nevojiten për të pasur sukses në një ekonomi të globalizuar dhe digjitale”, përmbyllin autorët, duke shtuar se “arsimi është çelësi për zhbllokimin e këtij potenciali”.

Ata theksojnë se për të siguruar një sistem të drejtë dhe të qëndrueshëm arsimor, Kosova duhet t’i japë përparësi: arsimit gjithëpërfshirës, edukimit në fëmijërinë e hershme dhe mësimit digjital.


MË SHUME NGA Kosovë